Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin për një krizë të re humanitare në Venezuelë, pas tërmetit të dyfishtë shkatërrues që goditi vendin një javë më parë. Sipas OBSH-së, përveç bilancit tragjik të viktimave, ekziston tashmë një rrezik në rritje për shpërthime sëmundjesh, ndërsa sistemi shëndetësor po përballet me një presion të jashtëzakonshëm.
Në një konferencë për shtyp në Gjenevë, zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier, deklaroi se spitalet dhe qendrat shëndetësore po funksionojnë përtej kapaciteteve të tyre për shkak të numrit të madh të të plagosurve.
“Shërbimet shëndetësore janë nën presion të jashtëzakonshëm, me objektet që veprojnë përtej kapacitetit të tyre”, tha Lindmeier.
Sipas bilancit më të fundit zyrtar, të publikuar nga presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, numri i viktimave ka arritur në 1,719, ndërsa 5,034 persona kanë mbetur të plagosur. Megjithatë, Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerëson se rreth 50 mijë persona rezultojnë ende të zhdukur, çka e bën situatën edhe më dramatike.
OBSH paralajmëron se dëmtimet e rrjeteve të ujësjellësit dhe kanalizimeve, mbipopullimi në strehimet e përkohshme dhe zhvendosja masive e popullsisë krijojnë kushte ideale për përhapjen e sëmundjeve infektive.
Sipas organizatës, ekziston rreziku i rikthimit të sëmundjeve që parandalohen me vaksina, si fruthi, difteria dhe kolla e mirë, ndërsa shqetësim mbetet edhe përhapja e sëmundjeve të transmetuara nga mushkonjat dhe uji, përfshirë ethet e verdha, dengun, chikungunya, virusin Zika dhe malarien.
Lindmeier bëri të ditur se 38 spitale janë prekur nga tërmeti, sipas raportimeve të autoriteteve venezueliane.
Deri më 27 qershor, OBSH kishte arritur të vlerësonte situatën në 21 institucione shëndetësore në Caracas, La Guaira, Miranda dhe Falcon. Nga këto, tre spitale ndodhen në gjendje kritike, gjashtë kanë pësuar dëmtime strukturore ose funksionojnë vetëm pjesërisht, ndërsa institucionet e tjera vijojnë aktivitetin me kufizime të konsiderueshme.
Vlerësimet paraprake tregojnë se spitalet po përballen me mbipopullim, lista të gjata pritjeje për ndërhyrje kirurgjikale, veçanërisht në traumat ortopedike dhe neurokirurgji, mungesë të kushteve të biosigurisë dhe një ngarkesë të jashtëzakonshme mbi personelin mjekësor.
OBSH thekson se nevojitet ndërhyrje e shpejtë ndërkombëtare për të shmangur një krizë të dytë shëndetësore, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për mijëra persona që rezultojnë ende të zhdukur nën rrënoja.