Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH bëri një thirrje urgjente për ndihmë prej 8 milion dollarësh, për të adresuar pasojat e tërmetit të javës së kaluar në Mianmar. Në këtë vend të Azisë Juglindore, rreth 1 mijë e 700 njerëz humbën jetën nga lëkundja e fortë me magnitudë 7.7 Rihter dhe mijëra të tjerë rrezikohen nga lëndimet e sëmundjet. Agjencia e Kombeve të Bashkuara njoftoi se po vepron në “nivelin më të lartë të emergjencës”.
Kjo agjenci u shpreh se i nevojiten donacione për të ofruar kujdes urgjent për të plagosurit, për të parandaluar shpërthimin e sëmundjeve, si dhe për të rivendosur shërbimet thelbësore shëndetësore gjatë 30 ditëve të ardhshme.
Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe bëri të ditur po ashtu se “shkatërrimi ka qenë i madh” dhe se “nevojat humanitare po rriten çdo orë”. Ekipet e shpëtimit në Mianmar janë duke vazhduar kërkimet për të mbijetuar të mundshëm nën rrënojat e ndërtesave të shembura.
Udhëheqja ushtarake e vendit shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në gjashtë rajone e lejoi ekipe të huaja të shpëtimit të hyjnë në vend për të ndihmuar me pasojat shkatërruese të tërmetit. India, Kina dhe Tajlanda janë ndër fqinjët e Mianmarit që dërguan materiale dhe ekipe ndihme. Personel dërguan edhe Malajzia, Singapori e Rusia.
Qeveria ushtarake e Mianmarit është e përfshirë në një luftë me kryengritësit, por kabineti i Unitetit Kombëtar e opozitës tha se luftëtarët që ka nën komandë do t’i ndalojnë të gjitha veprimet ushtarake sulmuese për dy javë. Tërmeti me magnitudë 7.7, një nga më të fortët që përjetoi Mianmari në një shekull, tronditi gjithashtu Tajlandën fqinje, duke shkaktuar dëme e viktima edhe atje.