OpenAI ka rënë dakord të blejë mjetin e kodimit të asistuar nga Inteligjenca Artificiale “Windsurf” për rreth 3 miliardë dollarë. Kështu ka raportuar Bloomberg News, duke cituar njerëz të njohur me çështjen. Marrëveshja nuk është mbyllur ende. OpenAI nuk pranoi të komentojë, ndërsa Windsurf nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesave të Reuters për koment. Windsurf, i njohur më parë si Codeium, kohët e fundit kishte qenë në bisedime me investitorë, përfshirë General Catalyst dhe Kleiner Perkins, për të mbledhur fonde me një vlerësim prej 3 miliardë dollarësh.
Ajo u vlerësua në 1.25 miliard dollarë gushtin e kaluar pas një raundi financimi prej 150 milionë dollarësh të udhëhequr nga firma e kapitalit sipërmarrës General Catalyst. Investitorë të tjerë në kompani përfshijnë Kleiner Perkins dhe Greenoaks. Marrëveshja, e cila do të ishte blerja më e madhe e OpenAI deri më sot, do të plotësonte aftësitë e kodimit të ChatGPT. Kompania ka qenë duke ofruar përmirësime në kodim me lansimin e secilit prej modeleve të saj më të reja, por konkurrenca po nxehet.
OpenAl sapo ka braktisur planet për t’u bërë kompani fitimprurëse. “OpenAI nuk është një kompani normale dhe nuk do të jetë kurrë”-tha shefi i kompanisë, Sam Altman. “Ne morëm vendimin që organizata jofitimprurëse të qëndrojë në kontroll pasi dëgjuam liderë e qytetarë dhe patëm diskutime me zyrat e Prokurorit të Përgjithshëm të Kalifornisë dhe Delaware”-shtoi ai. OpenAI u themelua si një organizatë jofitimprurëse në vitin 2015 dhe më vonë krijoi një entitet fitimprurës të kufizuar duke lejuar fitime të kufizuara për të tërhequr investitorë, me gjigantin e kompjuterave cloud Microsoft duke u bërë mbështetësi më i madh i hershëm.