Tech

OpenAI dhe Anthropic ‘përplasen’, çfarë ka ndodhur?

Dy nga aktorët më të fuqishëm në zhvillimin e Inteligjencës Artificiale; OpenAI dhe Anthropic po shfaqin qasje gjithnjë e më të kundërta për ndikimin që teknologjia e tyre mund të ketë në tregun e punës. Në qendër të debatit që po formësohet globalisht është një pyetje e thjeshtë, por me pasoja të mëdha: a do ta shkatërrojë AI punën e jakave të bardha (white-collar jobs), apo do ta transformojë atë duke rritur produktivitetin dhe krijuar role të reja?

Nga njëra anë, përfaqësues të Anthropic, përfshirë bashkëthemeluesin Chris Olah, kanë theksuar rrezikun e zhvendosjes së madhe të punës njerëzore në shkallë të gjerë, duke paralajmëruar se AI mund të automatizojë një pjesë të madhe të punëve intelektuale. Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, ka adoptuar një ton më optimist, duke argumentuar se frika për një “apokalips të punëve” është e ekzagjeruar dhe se ndikimi real deri tani nuk ka qenë aq drastik sa parashikimet fillestare.

Sipas tij, ndikimi i AI në tregun e punës po ndodh më ngadalë dhe në mënyrë më të fragmentuar se sa pritej, veçanërisht në pozicionet hyrëse të punëve të zyrës. Debati po ushqehet edhe nga zhvillimet në tregun e punës dhe në industrinë teknologjike. Disa kompani të mëdha si Meta, Coinbase, Shopify dhe të tjera kanë kryer shkurtime të stafit, shpesh duke i lidhur këto ndryshime me rritjen e përdorimit të AI dhe riorganizimin e kostove operative.

Në të njëjtën kohë, të dhëna nga platforma të punësimit tregojnë një tablo më komplekse: ndërsa disa sektorë po tkurren, kërkesa për role në inxhinieri softuerike dhe fusha të lidhura me AI ka mbetur e fortë ose është rritur. Kjo sugjeron një zhvendosje strukturore më shumë sesa një tkurrje të përgjithshme të tregut të punës.

Brenda vetëm dy orëve, industria e Inteligjencës Artificiale prodhoi një seri zhvillimesh që, së bashku, vizatojnë një panoramë të re të ekonomisë dhe fuqisë globale të teknologjisë. Në qendër të këtij cikli ishte OpenAI, e cila njoftoi se një nga modelet e saj të arsyetimit arriti të zgjidhë në mënyrë autonome një problem gjeometrik që kishte mbetur i pazgjidhur për 80 vjet, duke ngritur pritshmëritë për zbulime shkencore të gjeneruara nga AI në matematikë, mjekësi dhe inxhinieri.

Ndërkohë, Anthropic raportoi një rritje të fortë të të ardhurave, me projeksione që tregojnë për dyfishim në 10.9 miliardë dollarë në tremujorin e dytë, ndërsa afrohet drejt fitimit të parë të madh operativ. Në të njëjtën kohë, marrëveshjet për infrastrukturën kompjuterike u thelluan, me bashkëpunime të reja mes AI dhe platformave të mëdha të llogaritjes, ndërsa kërkesa për fuqi përpunuese u cilësua si “eksplozive”.