Sport

Orë vendimtare për Leaon, Fenerbahçe në sulm, Milani kërkon 50 milionë euro

Shitja e portugezit është më e nevojshme se kurrë për të financuar lëvizjet e ardhshme në merkato.

Të mërkurën Rafa Leao do t’i bashkohet Milanit në Australi, por e ardhmja e portugezit duket tashmë larg kuqezinjve. Pas disa ditësh në Brazil, numri 10 i “Djallit” do t’u bashkohet shokëve të skuadrës në grumbullimin e Perth-it, në pritje për të mësuar përfundimisht se për cilën skuadër do të luajë pas disa muajsh. Për momentin, Turqia është opsioni më i mundshëm, me Fenerbahçen dhe Galatasaray-n të gatshme t’i japin jetë një derbi të vërtetë merkatoje.

Distanca mes kërkesës dhe ofertës

Fenerbahçe thuhet se tashmë ka dërguar emisarët e saj në Milano për t’u takuar këtë javë me drejtuesit rossonerë. Turqit pritet të vendosin në tavolinë një huazim të kushtueshëm me të drejtë blerjeje për një total prej 40 milionë eurosh, por Milani kërkon më shumë. “Djalli”, në fakt, është dakord ta shesë Leao-n, por me titull përfundimtar (kartonin e plotë) dhe për të paktën 50 milionë euro. Edhe Galatasaray ka hedhur hapat e parë për të provuar afrimin e portugezit, por klubi i Osimhen-it, përveç një page super të lartë, nuk duket në gjendje të plotësojë kërkesat e kuqezinjve.

Kush vjen pas Rafa-s?

Sidoqoftë, shitja e Leao-s është më e nevojshme se kurrë për të financuar lëvizjet e ardhshme në merkaton e “Djallit”. Me shifrën e arkëtuar, në fakt, Milani mund të nisë sulmin për Karetsas, për të cilin ka gjithashtu një interes të fortë nga Borussia Dortmund. Sipas raportimeve nga Fabrizio Romano, gjermanët kanë planifikuar një takim me Genk-un për të provuar të djegin konkurrencën e “Djallit” dhe për ta mbyllur përfundimisht marrëveshjen. Vëmendje edhe te profili i Savinho-s: braziliani pritet të largohet nga Manchester City dhe për ta sjellë në Milano duhen rreth 50 deri në 55 milionë euro. Në gjurmët e lojtarit të datëlindjes 2004 është edhe Tottenham-i, teksa vetë lojtari do të preferonte të vazhdonte të luante në Premier League, arsye për të cilën do të nevojitet një sforcim i rëndësishëm ekonomik nga ana e kuqezinjve.