Orlando Bloom ka treguar se humbja drastike e peshës për rolin e tij të fundit ka ndikuar rëndë në shëndetin e tij mendor dhe fizik.
Aktori 47-vjeçar zbuloi se kishte humbur rreth 11 kilogramë për t’u shndërruar në një boksier në filmin “The Cut”, i cili do të shfaqet në kinema më 5 shtator.
Në një intervistë për programin britanik “This Morning”, Bloom tha se gjatë përgatitjes për rolin ndiqte një dietë tepër kufizuese, e përbërë vetëm nga ton dhe kastraveca.
Isha i rraskapitur, pa energji, i uritur dhe bëhesha një person i tmerrshëm
-u shpreh ai.
Aktori tha se ka punuar me nutricionistin Philip Goglio, i cili e këshilloi të reduktonte vaktet ditore nga tre në dy, gjë që e bëri përvojën edhe më të vështirë.
Për të përballuar presionin e kamerës, Bloom kujton se shpesh shtrihej i lodhur midis xhirimeve, ndërsa më pas bënte pompa vetëm që të dukej fizikisht më i madh në skenë.
Përveç vështirësive fizike, aktori pranoi se dieta ekstreme ndikoi edhe në shëndetin e tij mendor, duke i shkaktuar paranojë, mendime ndërhyrëse dhe mungesë gjumi.
Rezulton se nuk mund të flesh kur je i uritur
-tha ai me ironi.
Megjithëse Bloom arriti transformimin që kërkonte roli, ai e pranoi se nuk do ta rekomandonte këtë përvojë tek askush tjetër.
Në “The Cut”, Bloom luan rolin e një ish-boksieri që përjeton një humbje të madhe, e cila i jep fund karrierës së tij në ring.