Presidentja Vjosa Osmani tha sot se vendimin për të garuar apo jo edhe për një mandat tjetër do ta marrë “vetëm duke pasur parasysh interesin” e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Mandati pesëvjeçar i Osmanit përfundon më 7 prill të vitit 2026.
Nga viti i ardhshëm do të diskutojmë për këtë çështje. Gjatë gjithë karrierës sime politike, kam punuar gjithmonë duke pasur parasysh interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Asnjëherë, asnjë vendim imi politik nuk është bazuar në kalkulime për atë se ku do të jem unë, por vetëm se ku do të jetë Kosova dhe qytetarët e saj, u shpreh Osmani duke folur për mediat në Prishtinë.
Njohësit e çështjeve politike janë shprehur se koalicionet e mundshme pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, mund ta përfshijnë edhe çështjen e pozitës së presidentit të Kosovës. Ky post është kryesisht ceremonial, por luan një rol udhëheqës në politikën e jashtme dhe si komandant i forcave të armatosura.
Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, tha se “në rast se partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje do ta formojë qeverinë e re me ndonjë nga partitë opozitare shqiptare, atëherë çështja e postit të presidentit të Kosovës do të jetë në tavolinën e “pazareve politike””.
Osmani e mori mandatin më 4 prill të vitit 2021, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën më 14 shkurt 2021. Me partinë e saj, “Guxo”, që ka qenë në listë të përbashkët me Vetëvendosjen, Osmani ishte personi më i votuar në ato zgjedhje, me mbi 300 mijë vota.
Ajo u zgjodh presidente nga Kuvendi i Kosovës në raundin e tretë të votimit, pasi mori 71 vota nga 82 deputetë që ishin të pranishëm në seancën e zgjedhjes. Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i vendit nuk mund të mbajë më shumë se dy mandate.
Zgjedhjen e presidentit, parlamenti duhet ta bëjë me dy të tretat e votave të 120 deputetëve që ka gjithsej. Në rast se kandidati për president nuk i merr këto vota në dy raundet e para, në të tretin zgjidhet me votat e gjysmës së deputetëve.