Bota

Papa Leoni III në Ankara, bën thirrje kundër homogjenizimit të vendit: Do ishte varfërim!

Gjatë takimit me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, në Ankara, Papa Leoni i bëri thirrje Turqisë “të bëhet faktor stabiliteti dhe afrimi mes popujve”, duke paralajmëruar kundër “homogjenizimit” të vendit.

“Turqia mund të shërbejë si faktor stabiliteti dhe afrimi ndërmjet popujve në funksion të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme,” deklaroi Papa, duke e përshkruar vendin si “një kryqëzim ndjeshmërish, homogjenizimi i të cilave do të ishte një varfërim”. Për shkak të pozitës gjeografike dhe shumëllojshmërisë së saj, “Turqia është një urë mes Lindjes dhe Perëndimit, mes Azisë dhe Europës, një pikëtakim civilizimesh dhe besimesh”, theksoi ai në fjalën e tij para autoriteteve turke, shoqërisë civile dhe trupit diplomatik në kompleksin presidencial.

“Homogjenizimi do të ishte një varfërim”

Papa Leoni III paralajmëroi se një homogjenizim i detyruar i Turqisë “do të përbënte varfërim”, në një moment kur qeveria turke – në pushtet që prej vitit 2002 – kritikohet për tendenca autoritare, kufizim të lirisë së shprehjes dhe arrestime masive të protestuesve, gazetarëve dhe zyrtarëve lokalë, sidomos pas burgosjes së kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, në mars.

Pas zgjedhjeve lokale të marsit 2024 dhe humbjes së AKP-së së Erdogan, raportet për represion janë shtuar.

Papa: Shoqëria nuk është gjallë pa pluralizëm

“Një shoqëri nuk është e gjallë nëse nuk është pluraliste,” theksoi Papa, duke iu referuar minoriteteve të krishtera, që sot përbëjnë vetëm 0.1% të popullsisë prej 86 milionë banorësh, dhe që vazhdojnë të ndeshen me trajtim të pabarabartë dhe ndjesi përjashtimi.

Ai shtoi se të krishterët në Turqi “janë dhe ndihen pjesë e pandashme e identitetit turk” dhe shprehu vullnetin e tyre “të kontribuojnë pozitivisht në unitetin e vendit”.

“Në një shoqëri ku feja ka rol të dukshëm, është thelbësore të respektohet dinjiteti dhe liria e çdo njeriu – gra dhe burra, vendas dhe të huaj, të varfër dhe të pasur,” tha Papa.

Roli i grave dhe vlerat familjare

Në një vend ku familja dhe figura e nënës kanë rol të rëndësishëm, Papa Leoni III theksoi kontributin e grave në shoqëri “falë studimeve të tyre dhe pjesëmarrjes aktive në jetën profesionale, kulturore dhe politike”.

Ai vlerësoi iniciativat e ndërmarra nga autoritetet turke “në mbështetje të familjes dhe për fuqizimin e rolit të grave në zhvillimin e jetës shoqërore”.