Bota

Parlamenti ukrainas anulon seancën nga rreziku i sulmeve ajrore!

Deputetët ukrainas u këshilluan që sot t’i shmangin godinat qeveritare ndërsa Parlamenti i vendit e anuloi seancën plenare të ditës për shkak të paralajmërimeve për sulme të mundshme ajrore. Deputeti Taras Batenko foli për kërcënimin gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në kanalin “Hovoryt Velykiy Lviv” një ditë më parë.

Ne jemi njoftuar lidhur me rrezikun e një sulmi raketor në Verkhovna Rada në Kiev në ditët në vijim. Putin i ka rritur rreziqet jashtëzakonisht shumë. Seanca e nesërme (e premte 22 nëntor 2024) është anuluar, u shpreh ai.

Deputetë të tjerë, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se seanca u anulua. Ligjvënësi Oleksiy Honcharenko shkroi në Telegram se seanca e radhës është caktuar për më 22 dhjetor. Liderët e Parlamentit ende nuk kanë komentuar zyrtarisht për këto paralajmërime. Zyra e presidentit e njoftoi publikun se do të vazhdojë punën “si zakonisht” gjatë ditës së sotme.

Ky zhvillim vjen një ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi se ushtria ruse ka “testuar suksesshëm në luftime” një raketë të re balistike me rreze të mesme veprimi e që quhet Oreshnik. Putin pretendoi se raketa u përdor në një sulm ndaj qytetit lindor të Ukrainës, Dnipro, duke pohuar se ishte përgjigje ndaj “veprimeve agresive” të NATO-s dhe përdorimit të raketave perëndimore nga Ukraina për sulme brenda tokës ruse.

Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan për sulme të shumta raketore në Dnipro një ditë më parë, përfshirë përdorimin e asaj që sipas tyre ishte raketë balistike ndërkontinentale. Kievi është në pozitë të vështirë prej disa ditësh tashmë mes sulmeve intensive nga Rusia në të gjithë Ukrainën.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ukrainë paralajmëroi për një sulm ajror të madh rus më 20 nëntor, e mbylli përkohësisht Ambasadën e saj në Kiev. Ambasadat e Spanjës, Italisë dhe Greqisë, po ashtu pezulluan shërbimet për atë ditë.

Spekulime për sulme të mundshme me raketa balistike RS-26 Rubezh nga rajoni Astrakhan i Rusisë qarkulluan në rrjetet sociale, megjithëse nuk u konfirmua nëse u krye ndonjë i tillë më 20 nëntor.