Sport

Partizani turpërohet në shtëpi, e përmbys Bylis me gol në kohën shtesë / Dinamo rigjen fitoren

Partizani ka pësuar një goditje të rëndë për moralin në luftën për titullin kampion, pasi të kuqtë janë mposhtur në shtëpi nga Bylisi, me një përmbysje të  pabesueshme.

Të kuqtë shënuan dy gola të shpejtë dhe ndonëse Da Silva tundi rrjetën pak minuta më vonë, nuk dukeshin në vështirësi përballë ballshiotëve. Edhe në pjesën e dytë, edhe pse Partizani nuk u shfaq thumbues, dukej se kishte nën kontroll gjithçka. Por Mezani gjeti zëvendësimin e duhur dhe me të sapofuturin Mustafa barazoi shifrat.

Të kuqtë tentuan të luanin në sulm minutat e fundit, por u goditën në kundërsulm me anë të Ruçit, i cili  në shtesë shënoi golin e përmbysjes së papritur 3-2 të ballshiotëve, të cilët marrin pikë të rënda në luftën për mbijetesë, ndërsa thellojnë edhe më shumë krizën e kryeqytetasve.

LEXO EDHE: Presidenti i Federatës Ukrainase të Futbollit, vizitë në “Shtëpinë e Futbollit”. Andriy Shevchenko: Shqipëria po rritet, zhvillimi më i madh vjen nga futbolli

Vllaznia dhe Elbasani e kanë mbyllur me barazim 1-1, sfidën e vlefshme për javën e 26-të të Superiores.

I gjithë spektakli ishte në pjesën e parë ku u shënuan dy gola dhe u humb një penallti.

Fillimisht Vllaznia zhbllokoi sfidën me Deliun. Më pas ishin vendasit që gjetën barazimin, ndërsa Musta tundi rrjetën.

Kuqeblutë mund të ktheheshin sërish në avantazh, por Bekim Balaj pa Abalorën t’i priste penalltinë. Vllaznia mbetet në vendin e dytë me 45 pikë, ndërsa Elbasani mban vendin e pestë me 31 pikë.

Dinamo ka gjetur fitoret pas një muaji “mungesë’ teksa ka mundur sot Laçin me shifrat 2-0 në sfidën e hapjes së javës së 26 të Superiores.

Blutë kanë gjetur golin pas pak sekondash lojë me një kryevepër të Bregut, sapo kishte nisur minuta e dytë e takimit dhe kjo ua bëri më të thjeshtë punën. Kurbinasit provuan të reagonin në pjesën e dytë por në momentin më të mirë të tyre, erdhi edhe penalltia e kontestuar e cila solli dyfishimin e rezultatit po nga Bregu.

Kësisoj, me fitoren 2-0 Dinamo blindon vendin e saj në katërshe duke ndalur një nga pretendentët për t’iu afruar grupit të kreut, pasi Laçi mbetet në vendin e pestë, shumë i shkëputur nga skuadrat që ka më sipër.