Sport

Presidenti i Federatës Ukrainase të Futbollit, vizitë në “Shtëpinë e Futbollit”. Andriy Shevchenko: Shqipëria po rritet, zhvillimi më i madh vjen nga futbolli

“Shtëpia e Futbollit” mirëpriti sot në një vizitë zyrtare Presidentin e Federatës Ukrainase, Andriy Shevchenko. I ftuar nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, legjenda e futbollit botëror mbërriti rreth orës 11:00 në Tiranë dhe më pas vizitoi ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

I shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, Drejtori Administrativ, Aldi Topçiu, dhe Anëtari i KE-së, Envi Hicka, kreu i Federatës Ukrainase pati mundësinë të njihte më nga afër historinë dhe arritjet e futbollit shqiptar ndër vite.

Gjatë vizitës, Andriy Shevchenko inspektoi qendrën stërvitore të ekipit kombëtar, terrenet e “Shtëpisë së Futbollit”, muzeun dhe ambientet e administratës së FSHF-së.

Të dyja palët shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e mëtejshëm të futbollit, ndanë eksperienca dhe diskutuan për projekte të ndryshme dhe investime infrastrukturore.

LEXO EDHE:  Presidenti i Federatës Holandeze të Futbollit, vizitë në Shtëpinë e Futbollit: Arritjet e FSHF-së në vitet e fundit, të jashtëzakonshme
Në një prononcim për fshf.org, Andriy Shevchenko shprehu kënaqësinë për vizitën në Tiranë dhe falënderoi Presidentin Duka dhe FSHF-në për ftesën dhe mikpritjen. Ai vlerësoi zhvillimin e futbollit në Shqipëri dhe ndikimin e tij në rritjen e vendit.

“Faleminderit, jam shumë i kënaqur që jam këtu, dua të falënderoj Presidentin Armand Duka, një mik, për këtë mundësi të bukur dhe për mikpritjen. Jam shumë i impresionuar nga puna që është bërë. Vij në Shqipëri prej shumë kohësh dhe shoh vendin që po rritet shumë. I gjithë vendi po rritet, por besoj se zhvillimi më i madh vjen edhe nga futbolli, që po rritet shumë”, – u shpreh fillimisht Shevchenko, i cili më tej vlerësoi infrastrukturën sportive të FSHF-së.

“Kjo qendër sportive e bukur, me zyra, fusha stërvitjeje me strukturat e përshtatura për të pritur skuadrat e nivelit të lartë, duke i dhënë atyre të gjitha mundësitë për t’u përgatitur më mirë për stërvitje. Kam vizituar shumë qendra sportive dhe jam i impresionuar sepse organizimi dhe ideja e të ndërtuarit të një projekti të rëndësishëm, një projekt që mbi të gjitha është i përshtatur për të gjithë ata që bëjnë pjesë në Federatë, sepse shohim futbollin e vajzave dhe të djemve, strukturat e duhura për të mirëpritur evente, shoh struktura të përshtatshme për evente futbollistike, për fëmijë, për të rritur, e mbi të gjitha për skuadrat kombëtare. Qendra ka gjithashtu një muze shumë të bukur, ishte shumë interesante, mësova sot shumë gjëra që nuk i dija”, – tha Shevchenko.

Në fund të prononcimit, ai i uroi sukses futbollit shqiptar, FSHF-së dhe ekipit Kombëtar në kualifikueset e Kupës së Botës.
“I uroj futbollit tuaj, të gjithëve ju, të vazhdoni këtë rrugë në ngjitje, të kualifikoheni për diçka të rëndësishme. E di që keni një grup të vështirë, por futbolli luhet i barabartë kur nis ndeshja, ndaj është e rëndësishme të keni besim”, – përfundoi Shevchenko.

Më pas, Shevchenko u prit nga Presidenti Duka, dhe së bashku po ndjekin në stadiumin “Niko Dovana” ndeshjen e UEFA Nations League për vajza mes Shqipërisë dhe Ukrainës.