Me mjete të posaçme, qindra efektivë të ushtrisë greke vazhdojnë të evakuojnë banorët nga komuna e përmbytur e Palamasit, si rezultat i motit të keq. Qindra njerëz kanë mbetur të bllokuar pa ushqim e ujë, nga stuhia shkatërruese Daniel që la pas 8 viktima, si dhe solli miliona euro dëme. Sipas meteorologëve, fenomeni është më ekstremi që ka goditur vendin fqinj 90 vitet e fundit.
Qindra shtëpi janë shkatërruar apo përmbytur nga ujërat dhe balta që sollën lumenjtë. Disa ura janë shembur, rrugët janë shndërruar në liqene, linjat e energjisë elektrike janë shkatërruar, uji i pijshëm mungon në shumë zona dhe dëmet në kulturat bujqësore janë të pallogaritshme për pjesën më prodhimtare bujqësore të Greqisë që përfshin prefekturat e Kardhitsës, Larisës, Trikalës e Volosit.
Pas daljes nga shtrati të lumit Pinio në orët e para të mëngjesit në shumë lagje të Larisës, niveli i ujit u rrit me shpejtësi duke mbuluar shtëpi e biznese dhe duke detyruar banorët të largoheshin.
Brigadat zjarrfikëse, repartet e shpëtimit dhe ushtria po punojnë me të gjitha kapacitetet për të evakuar banorët që nuk kanë mundur të largohen dhe presin ndihmë në tarracat apo ballkonet e kateve të sipërme të shtëpive të tyre.
Prej orëve të mëngjesit të së premtes, disa helikopterë transportojnë nga zonat e përmbytura të moshuar apo fëmijë, në gjendje shoku pasi ndodheshin për orë të tëra mes ujit në një prej fushave të futbollit në qytetin e Kardhitsës. Vetëm në prefekturën e Magnezisë u shpëtuan 210 banorë gjatë orëve të natës.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis që ka vizituar qytetin e Kardhitsës sot ka deklaruar se e kupton zemërimin edhe indinjatën e banorëve.
Unë dhe qeveria ime do të bëjmë gjithçka për të mobilizuar të gjitha burimet europiane për të mbështetur financiarisht banorët që pësuan dëme kolosale nga kjo katastrofë natyrore.
Sipas Shërbimit Meteorologjik të vendit, sipërfaqet e përmbytura të fotografuara dje me satelit janë mbi 72 mijë hektarë. Por, sot në ditën e katërt të fenomenit, ujërat e dy lumenjve të zonës vazhdojnë të dalin nga shtrati dhe të përmbytin tokat bujqësore e fshatrat.