Një ditë pas miratimit të Statutit të ri të Partisë Demokratike, sot u zhvillua mbledhja e grupit kuvendor. Aty u vendos vazhdimi i protestave, si dhe zhvillimi i zgjedhjeve të reja në degët e PD-së në të gjithë Shqipërinë. Burime nga mbledhja bëjnë të ditur se kryetari Basha deklaroi se çështja “Tahiri” do mbetet pjesë e artikulimit politik të PD-së dhe në seancën plenare të së enjtës, pritet të mbahet një qëndrim më i plotë. Basha citohet të ketë thënë se “Nuk ka Parlament normal me Saimir Tahirin të lirë dhe kuksianët në burg”. Gjithashtu, u vendos që demokratët të vijojnë të mbajnë marrëdhënie të kushtëzuara me komisionet kuvendore.