Aktualitet Rajoni

Aksidenti tragjik në Greqi, një në pranga/Kryeministri Mitsotakis: Hetime deri në fund!

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis mbërriti në Larissa të Greqisë, pranë vendit ku ndodhi aksidenti fatal nga përplasja e dy trenave e që shkaktoi të paktën 38 viktima dhe 85 të plagosur, disa prej të cilëve në spital. I shoqëruar nga ministrat e Infrastrukturës dhe Mbrojtjes së Qytetarëve, Mitsotakis garantoi se do të zbulohen shkaqet e tragjedisë, ndërsa u zotua të bëjë gjithçka që ngjarja të mos përsëritet. Para mediave deklaroi:

Eshtë një tragjedi e patregueshme, mendimet tona janë me familjarët e viktimave. Detyra jonë është të mjekojmë të plagosurit, gjithashtu të identifikojmë viktimat. Një gjë që mund të garantoj është se do të zbulojmë shkaqet e tragjedisë e do të bëjmë gjithçka që është e mundur që të tilla ngjarje të mos përsëriten.

Sipas informacioneve nga mediat greke, shumica e viktimave ishin studentë e të mitur.  Disa prej tyre do të mund të identifikohen vetëm nga ADN-ja. Tre vagonët e parë të trenit me pasagjerë morën goditje fatale nga përplasja kokë më kokë. Të dy trenat lëviznin me shpejtësi maksimale e asnjë prej tyre nuk pati mundësi për të manovruar.

Po ashtu, paraprakisht bëhet e ditur se një person u vu në pranga. Eshtë fjala për drejtuesin e stacionit që dha urdhër për nisjen e trenit me pasagjerë e që më pas u gjend përballë atij të mallrave në të njëjtat shina.

E ndërsa në terren vazhdojnë kërkimet e skuadrave të shpëtimit, Tirana zyrtare konfirmon se deri tani nuk ka shqiptarë të përfshirë në aksidentin tragjik. Ministria e Punëve të Jashtme bën të ditur se ambasada jonë në Athinë e Konsullata në Selanik ndjekin nga afër zhvillimet në Teme.

Tirana zyrtare dhe politika shqiptare shprehën ngushëllime për aksidentin tragjik. Gjithashtu Turqia i shprehu ngushëllime Greqisë fqinje, ndërsa prej rreth një muaji, shteti turk po përballet me pasojat e tërmetit shkatërrimtar të 6 shkurtit.