Rajoni

Dy tërmete godasin ishullin Evia në Greqi, panik dhe dëme materiale!

Dy lëkundje të forta sizmike goditën ishullin Evia në Greqi, duke shkaktuar panik te banorët dhe dëme materiale. Tërmetet u ndienë edhe në Athinë e rajonet përreth.

Sipas Institutit Gjeodinamik të Greqisë, lëkundja e parë u regjistrua në orën 12:58 me magnitudë 4.8 Rihter e thellësi rreth 5 kilometra. Vetëm pak minuta më vonë, zona u godit nga një tjetër tërmet më i fortë me magnitudë 5.2, me epiqendër pranë Prokopit, në Evian veriore.

Autoritetet lokale raportojnë dëmtime në banesa në Prokopi dhe Dafnusa, ndërsa në disa segmente rrugore janë konstatuar edhe rrëshqitje dherash e gurësh. Deri më tani nuk ka raportime për të lënduar.

Kryebashkiaku i Mantudit, Janis Capurniotis, bëri të ditur se ekipet e emergjencës ndodhen në terren për të verifikuar situatën dhe evidentuar dëmet.

Ndërkohë, sizmologët grekë bëjnë thirrje për qetësi. Sipas tyre, bëhet fjalë për një zonë me aktivitet të njohur sizmik dhe se nuk ka arsye për alarm të menjëhershëm.

Mediat greke raportojnë dëme edhe në kishën e Shën Gjergjit pranë Prokopit, ku në momentin e lëkundjeve po zhvillohej një ceremoni pagëzimi.