Ushtria ukrainase tha se dy ushtarë u vranë dhe katër u plagosën në granatimet nga separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore, ku një shpërthim dhune këtë javë ngjalli frikën se mund të ishte shkas për aksionin ushtarak rus.
Ushtria ukrainase tha se ka regjistruar 70 shkelje të armëpushimit nga separatistët që nga fillimi i ditës krahasuar me 66 raste gjatë 24 orëve të mëparshme.
Separatistët hapën zjarr në më shumë se 30 vendbanime përgjatë vijës së frontit duke përdorur artileri të rëndë, e cila është ndaluar nga marrëveshjet që synojnë ftohjen e konfliktit afatgjatë, tha ai.
Ndërkaq Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha më 19 shkurt se ushtria ruse është “e gatshme ta sulmojë” Ukrainën, edhe pse ai tha se shpreson që presidenti rus, Vladimir Putin, do të tërhiqet nga nisja e luftës.
Austin u zotua se Uashingtoni do të qëndronte me aleatët e Baltikut. Ai këto komente i bëri gjatë vizitës në Lituani, teksa frika është rritur se Rusia do ta pushojë Ukrainën.
Rusia mohon se ka plane për ta pushtuar Ukrainën.
“Unë dua që të gjithë në Lituania, Estoni dhe Letoni ta dinë – dua që edhe presidenti Putin në Kremlin ta dijë – se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë aleatëve tanë”, tha Austin gjatë një konference për media në Vilnius, pas takimeve me liderët e Lituanisë.
Në konferencën me Austin, ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, tha se grumbullimi i trupave ruse përreth Ukrainës ishte “një kërcënim i drejtpërdrejt ushtarak ndaj Ukrainës, por po ashtu përbën kërcënim për gjithë rajonin”.