Aktualitet

Pjesë të juglindjes pa energji elektrike, shkak dëbora!

Reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar probleme të shumta në furnizimin me energji elektrike në juglindje.

Sipas të dhënave nga Dispeçeria Rajonale Korçë, disa fidere janë stakuar për shkak të defekteve teknike, duke lënë pa energji elektrike një numër të konsiderueshëm abonentësh, kryesisht në zonat rurale.

Probleme janë evidentuar në fiderin Cërrvenakë të nënstacionit Gur i Kuq, i stakuar për shkak defekti. Ndërkohë, ai 4 i nënstacionit Lozhan është pjesërisht në punë, duke lënë pa energji 55 abonentë ruralë në Zerec, Kopesh, Dushar dhe Dobërcan.

Pa energji elektrike është edhe fideri 9 i nënstacionit Lozhan, ku rreth 400 abonentë ruralë në Zvarisht, Tresovë e Dolan janë prekur nga ndërprerja.

Ndërprerje raportohen edhe në fiderin komunal 3 të nënstacionit Maliq, që furnizon zonat Dardushë, Nicë dhe Sterkanj, me rreth 80 abonentë ruralë.

Në nënstacionin Leskovik, fideri JO6 ka lënë pa energji zonat Gjyrakare, Postenan e Peshtan. Po ashtu, në nënstacionin Ersekë, fideri 3 ka ndërprerë furnizimin me energji në Kamnik, Piskal, Ndërmarrje, Shijan dhe Kaduc, duke prekur 50 abonentë ruralë.

Situatë problematike edhe në Vithkuq, ku fideri i nënstacionit Rehovë është pjesërisht pa energji, duke prekur rreth 250 abonentë në Lekas.

Pa energji është edhe fideri komunal Tulla (Pasurim) në nënstacionin Maliq, që furnizon Kolanecin dhe Fshatin Maliq, me rreth 300 abonentë ruralë.

Po për shkak defektesh teknike janë stakuar fiderat e fshatit Rehovë, Potgozhanit i nënstacionit Gur i Kuq (4 abonentë ruralë), si dhe 4-rat e nënstacioneve Mollas e Bilisht.

Në total, 1 mijë e 143 abonentë (familje) rezultojnë aktualisht pa energji elektrike në qarkun e Korçës dhe zonat përreth për shkak të reshjeve të dëborës. Në shumicën e zonave, rrjeti elektrik është i amortizuar.