Një ngjarje e rëndë ndodhi rreth mesnate në fshatin Mbrostar Ura të Fierit, ku një 23 vjeçar plagosi babanë e tij pas një konflikti brenda banesës. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier shkuan në vendngjarje për të ndaluar autorin. Shtetasi Jashar Zyka u arrestua dhe u shoqërua në komisariat ndërsa babai i tij, 58-vjeçari Nexhmedin Zyka, ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve.
Njoftimi i plotë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, rreth mesnatës, sapo janë njoftuar se një shtetas kishte plagosur babanë e tij, në banesën e tyre, në fshatin Mbrostar Ura, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u kap dhe u vu në pranga, shtetasi J.Z., 23 vjeç.
Ai dyshohet se pas një konflikti me babanë e tij, shtetasin N.Z., 58 vjeç, e ka plagosur atë, në këmbë, me një armë të modifikuar si armë sportive.
58-vjeçari është aktualisht në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.