Bota

Plani 10-pikësh, Teherani prezanton kushtet për paqe/Bisedimet për paqe në Pakistan!

Një delegacion iranian ka mbërritur në kryeqytetin pakistanez, Islamabad, për të zhvilluar bisedime të nivelit të lartë mbi propozimin 10-pikësh të Teheranit, që synon të zgjidhë tensionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin.

Lajmi u konfirmua nga ambasadori i Iranit në Pakistan. Takimin, Reza Amiri Moghaddam e cilësoi si “bisedime serioze” të zhvilluara me ftesë të kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif.

Diplomati theksoi se opinioni publik në Iran mbetet skeptik për shkak të shkeljeve të përsëritura të armëpushimit nga Izraeli, që sipas tij synojnë të sabotojnë nismat diplomatike.

Megjithatë, Teherani ka vendosur të marrë pjesë në bisedime duke i dhënë një shans diplomacisë.

Propozimi 10-pikësh i Iranit

Sipas mediave iraniane, plani i paraqitur nga Teherani përfshin këto pika kryesore:

1.  Tranziti në Ngushticën e Hormuzit vetëm në koordinim me forcat e armatosura iraniane.

2.  Ndërprerja e luftës kundër Iranit dhe aleatëve të tij.

3.   Tërheqja e forcave amerikane  nga të gjitha bazat dhe objektet në rajon.

4.   Vendosja e një protokolli kalimi të sigurt  në Ngushticën e Hormuzit nën kontrollin iranian.

5.   Pagesa e kompensimeve  të plota për Iranin.

6.   Heqja e sanksioneve   parësore dhe dytësore, si dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

7.   Lirimi i aseteve të ngrira iraniane  jashtë vendit.

8.   Miratimi i dispozitave   me një rezolutë detyruese nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

9.   Angazhimi i Iranit për të mos pasur armë bërthamore.

10.   Njohja e të drejtës së Iranit për pasurimin e uraniumit.

Pakistani që ka marrëdhënie të ngushta me Iranin dhe njëkohësisht bashkëpunon me SHBA-të, po përpiqet të luajë rolin e ndërmjetësit për të ulur tensionet në rajon.

Kryeministri Shehbaz Sharif ka theksuar se vendi i tij është i gatshëm të ofrojë një platformë neutrale për dialog.

Takimi në Islamabad shihet si një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit e për të gjetur një zgjidhje diplomatike. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse palët e përfshira do të pranojnë kushtet e vendosura nga Teherani.