Bota

“Plas” te PSG, të gjithë e duan “Topin e Artë”! Donnarumma kërkon pjesën e tij, Hakimi i del kundër Dembeles!

Gjithçka që shkëlqen nuk është ar. Pas një sezoni historik dhe triumfit në Ligën e Kampionëve, Paris Saint-Germain ka vendosur plot nëntë lojtarë në listën e ngushtë prej 30 emrash për çmimin prestigjioz “Topi i Artë”. Por, në dhomat e zhveshjes së Luis Enriques duket se nuk ka vetëm festë, kanë nisur përplasjet mes pretendentëve.

Fillimisht, mbështetja në grup ishte e qartë për Ousmane Dembélé, por situata ndryshoi pas deklaratës së Achraf Hakimit.

Mbrojtësi maroken, i cili këtë sezon ka shënuar 11 gola dhe ka dhënë 16 asiste, tha për Canal+:

Topi i Artë është një ëndërr që nuk e kisha imagjinuar kurrë. Kam shënuar në çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale, diçka që Dembélé nuk e ka bërë, dhe për një mbrojtës është edhe më e vështirë. Mendoj se e meritoj edhe më shumë se një sulmues.

Sipas L’Equipe, zyra e shtypit e PSG-së u përpoq të censuronte këto komente, por Hakimi refuzoi. Krahas tij dhe Dembélé-s, në listë janë edhe Donnarumma, Doué, Kvaratskhelia, Vitinha, Neves, Ruiz dhe Mendes. Edhe Gianluigi Donnarumma ka bërë “lëvizjen” e tij, duke publikuar në rrjete sociale një kujtesë të qartë se është i vetmi portier i kualifikuar për Topin e Artë. Agjenti i tij, Vincenzo Raiola, theksoi për Gazzetta dello Sport:

Pa pritjet vendimtare të Gigios ndaj Liverpool, Aston Villa dhe Arsenal, PSG nuk do ta kishte fituar kurrë Ligën e Kampionëve.

Presidenti Nasser Al Khelaifi kishte deklaruar më herët se “do të ishte problem i madh nëse Dembélé nuk fiton”, por duket se gara brenda klubit po bëhet gjithnjë e më e ndezur.