Botë e Çuditshme

Po ju, çfarë po prisni?! Maçoku më i shëndoshë në botë nis dietën!

Maçoku më i shëndoshë në botë ka nisur dietën. Pronarja e Patches, maçokut që peshon rreth 18 kg, ka vendosur që kafsha shtëpiake të hajë më pak, për të humbur kilet e tepërta. Macet zakonisht peshojnë 4-5 kg, në varësi të racës. Mendohet se arsyeja pse Patches ka këtë peshë kaq të madhe, është se ka ngrënë ushqim njerëzish dhe jo macesh.

Rekordi botëror për macen më të shëndoshë mbahet nga Himmy, që në vitin 1986 peshonte 20,8 kg. Më pas, Libri i Rekordeve Guinness vendosi që ta hiqte këtë rekord, për të mos nxitur pronarët që të ushqenin macet e tyre më shumë seç duhet, në përpjekje për të thyer rekordin.

Ndërkaq, është shumë e vështirë të dallosh gjuhën e trupit të maceve. Një studim i ri i publikuar në ‘Scientific Reports’ synon të zgjidhë këtë dilemë, duke identifikuar të gjitha shenjat që dallojnë një grindje lozonjare nga një grindje serioze dhe që mund të vërë në rrezik sigurinë e kafshëve.

Studimi i kryer nga një ekip nga Universiteti i Mjekësisë Veterinare në Košice, Sllovaki, u krye duke filluar nga 100 video të ndërveprimeve të maceve. Ekipi identifikoi një sërë qëndrimesh të përsëritura në këto situata dhe i katalogoi ato në atë që quhet etogram, një liste sjelljesh, të cilat janë ndarë në gjashtë grupe.