Kai Trump, mbesa e Donald Trumpit, ka tërhequr vëmendje të madhe pas paraqitjes në podcastin “Impaulsive” të Logan Paul. Ajo theksoi qartë se nuk dëshiron të ketë asnjë lidhje me politikën, duke e cilësuar atë si “një gjë të rrezikshme”, pavarësisht se vjen nga një familje shumë e njohur politike.
Kai tha se mundohet të qëndrojë larg politikës dhe nuk e sheh veten si politikane në të ardhmen. Ajo theksoi se shoqëria është bërë tepër e polarizuar dhe se zgjidhja qëndron te kompromisi dhe gjetja e mesatares mes palëve.
Sipas saj, rrjetet sociale kontribuojnë ndjeshëm në thellimin e ndarjeve ekstreme. Edhe pse deklaroi se gjithmonë do ta mbështesë familjen e saj, Kai u përshkrua si një person “në qendër” politikisht.
Deklaratat e saj u pritën shumë pozitivisht në internet, ku shumë e vlerësuan për pjekurinë dhe mënyrën e balancuar të të menduarit. Gjatë bisedës, ajo foli edhe për vështirësitë e jetës nën mbrojtjen e vazhdueshme të Shërbimit Sekret, veçanërisht në jetën private, duke përmendur situata të sikletshme gjatë takimeve romantike. Megjithatë, tha se po përpiqet të mësohet me këtë realitet, sidomos pasi gjyshi i saj u rikthye si president.