Presidenti Ilir Meta përshëndeti sot votimin nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut për paketën e Francës që i hap rrugë integrimit në BE. Meta përgëzon faktorin politik shqiptar për kontributin në integrimin europian të vendit.
Përshëndes votimin pro-formulës Macron nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, që çel rrugën e negociatave të anëtarësimit në BE javën e ardhshme për të dy vendet tona. Përgëzoj faktorin politik shqiptar, që gjithmonë mbetet besnik i orientimit europian, vendimtar për paqen, sigurinë dhe bashkëjetesën ndëretnike. Vendimi i Këshillit Europian që do të merret pas disa ditësh duhet të kthjellojë mirë çdo vendimmarrës këtu për përgjegjësitë që ka në ndjekjen e politikave që Shqipërinë e bëjnë më europiane, më demokratike dhe më shpresëdhënëse.
Kryetari demokrat, Sali Berisha e quan “historik” votimin.
Lidhur me votimin e propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut! Të dashur miq, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin e Francës që i hap rrugën çeljes se negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian.
Me këtë rast Partia Demokratike e Shqipërisë përgëzon Parlamentin e vendit fqinj, dhe përshëndet vendimin e guximshëm dhe historik që mori sot, me të cilin zhbllokoi hapjen e negociatave me BE për të dy vendet tona.
Hapjen e negociatave për Shqipërinë me BE, të bllokuara prej 6 vitesh, dhe pasi ato u shtynë 5 herë, për shkak të mosplotësimit të kushteve nga qeveria Rama, dhe vitin e fundit për shkak të bllokimit nga Bullgaria të Maqedonisë së Veriut për zgjedhjen e kundërshtive midis këtyre vendeve, Partia Demokratike e konsideron si një zhvillim të lidhur kryesisht me dëshirën fisnike të BE dhe vendeve anëtare për të garantuar perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perendimor, pavarësisht se, siç sanksionon rezoluta e Parlamentit Europian, Shqipëria ka probleme të mëdha me standardet, kushtet dhe kriteret e BE.
Me këtë rast PD garanton shqiptarët dhe BE, Komisionin Europian dhe vendet anëtare të BE, se do mbështesë, dhe, nesër në pushtet, do të marrë e miratojë çdo ligj, akt e vendim për plotësimin, kapitull për kapitull, e kërkesave të negociatave me BE, dhe për të bërë realitet anëtarësimin e Shqipërisë në BE, si të ardhmen më të shkëlqyer për Shqipërinë dhe shqiptarët. sb
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, thekson se miratimi nga parlamenti i Maqedonisë së Veriut i propozimit francez për zgjidhjen e ngërçit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, i hap rrugë procesit të negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Partia Demokratike përshëndet këtë vendim të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut dhe vlerëson rolin e faktorit shqiptar në këtë vendimarrje. Shqipëria nga ana e saj ka ende rrugë për të bërë, ende shumë kushte për të plotësuar. E gjithë ecuria e qeverisë shqiptare këto 9 vitet e fundit ka qenë një dështim për procesin e integrimit. Edhe pse problemi i Maqedonisë së Veriut dhe vetoja e Bullgarisë ishin çështje që ngadalësuan ndjeshëm procesin e integrimit, shqiptarët e kanë të qartë se ngecja në vendnumëro është pasojë e keqqeverisjes Rama.
Pasuar së fundmi me nota arrogance ndaj përfaqësuesve të vendeve mike të BE. Si mënyra e vetme për të larguar vëmendjen nga ngecja e reformave, krimi de korrupsioni galopant, zgjedhjet e vjedhura të 25 prillit, liria e medias dhe problematikat shqetësuese e zhvillimeve në vend.
PD e mbështet pa asnjë rezervë integrimin e vendit në BE dhe do të bëjë gjithçka për t’ia mundësuar këtë vendit. Për këtë duhet nisur puna një orë e më parë për rikthimin e pushtetit të votës së lirë. Te votës që nuk blihet me paratë e krimit dhe oligarkisë, që nuk shitet nga frika dhe terrori e regjimit që vë gjithçka në funksion të pushtetit absolut.
Shqipëria ka vetëm një destinacion, atë të integrimit në BE. Ne do të punojmë çdo ditë për t’a arritur këtë duke ndërtuar të ardhmen e shqiptarëve mbi vlera dhe parime të ndryshme nga ato që po e mbajnë Shqipërinë peng dhe që po sjell braktisjen masive të vendit.