Administrata Biden do të dërgojë një personel ushtarak prej 1 mijë e 500 trupash në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën. Vendimi vjen në prag të skadimit të afatit të kufizimeve të lidhura me pandeminë e koronavirusit, gjë që pritet të sjellë një rritje të numrit të emigrantëve në kufi. Zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral brigade Pat Ryder:
Personeli ushtarak nuk do të merret me detyra që lidhen me zbatimin e ligjit, por vetëm me çështje që lidhen me futjen në sistem të të dhënave të emigrantëve e të tjera detyra administrative, që punonjësit e Agjencisë së Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të përqendrohen te puna në terren. Trupat do të dërgohen atje për rreth 90 ditë e qëndrimi i tyre në kufi mund të zgjatet, nëse shihet e nevojshme.
Kufizimet e lidhura me pandeminë COVID-19 u dhanë mundësi zyrtarëve amerikanë të kthejnë mbrapsht me qindra mijëra emigrantë që kishin shkuar në kufirin jugor të vendit. Por, këto kufizime do të hiqen më 11 maj, ndaj dhe zyrtarët në kufi po përgatiten për një rritje të pritshme të numrit të emigrantëve.
Edhe mes kufizimesh, administrata është përballur me një numër rekord njerëzish që kalonin kufirin. Presidenti Joe Biden u përgjigj duke marrë masa ndaj atyre që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, si dhe duke ofruar alternativa për të shmangur një udhëtim të rrezikshëm e shpesh me pasoja vdekjeprurëse.
Veprimet e presidentit Biden, pasojnë lëvizje të ngjashme të ndërmarra nga paraardhësi i tij, Donald Trump, i cili krahas forcave të Gardës Kombëtare, vendosi personel ushtarak aktiv në kufi, për të ndihmuar personelin e patrullës kufitare në përpunimin e të dhënave për karvanë të tërë me emigrantë. Aktualisht, në kufi ka rreth 2 mijë e 700 trupa të Gardës Kombëtare.
Për presidentin Biden, i cili njoftoi nisjen e fushatës për rizgjedhjen në krye të Shtëpisë së Bardhë, vendimi sinjalizon se administrata e tij po i trajton me seriozitet përpjekjet për të ulur numrin e kalimeve të paligjshme në kufi. Ato kanë qenë burim i fuqishëm i sulmeve nga ana e republikanëve. Këto masa shërbejnë edhe si një mesazh, që kush synon, të mos tentojë ta kalojë kufirin ilegalisht.