Rajoni

27 vjet nga Beteja e Koshares/9 prilli 1999 shënoi thyerjen e kufirit mes Kosovës e Shqipërisë!

Sot mbushen 27 vjet nga beteja e Koshares që shënoi thyerjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Përballja me forcat serbe që nisi më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte një ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Jo vetëm shënoi një fitore morale për UÇK-në, por i hapi rrugë edhe furnizimit me armatim e mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

Kjo meqë përpjekjet për të arritur një marrëveshje që forcat serbe të tërhiqeshin nga territori i Kosovës, kishin rezultuar pa sukses. Ndërkohë, pas Rambujesë u formua Qeveria e Përkohshme e Kosovës e baza ushtarake dhe paramilitare serbe ishin sulmuar nga forcat e NATO-s.

Në aspektin strategjik, beteja e Koshares kishte rëndësi të veçantë jo vetëm në marrjen dhe pastrimin e kufirit, por edhe në krijimin e prapavijës së qëndrueshme për mbështetje dhe operacione logjistike, ndihmë mjekësore, etj.

Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo pamundësonte kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ndante në mes një komb të vetëm, shuante ndikimin e dhunshëm shtetëror e integritetin territorial të pretenduar.

Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së, jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës te UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.

Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati 100 vjeçar i vënë mes Kosovës e Shqipërisë.

Beteja e Koshares qe njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.