Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, i gatshëm për bisedime “në çdo kohë” dhe “ballë për ballë” me Donald Trump-in, i cili la të hapur mundësinë e një takimi me homologun. Maduro theksoi se është për paqen, kundër luftës. Sipas tij, disa “sektorë të pushtetit” në SHBA po e shtyjnë Trump-in drejt një operacioni ushtarak kundër Venezuelës, çka e quajti “gabimi më serioz i jetës së presidentit amerikan”.
Dialog po…Paqe po…Luftë jo…Kurrë luftë…
Dukshëm i shqetësuar dhe duke folur anglisht, presidentit venezuelian sërish adresoi çështjen e presionit ushtarak në rritje nga Shtetet e Bashkuara,.
Në përgjigje të sugjerimit të Trump-it për bisedime të mundshme, Maduro deklaroi se Venezuela do të angazhohet me çdo vend që synon të bisedojë, por paralajmëroi kundër agresionit të huaj, duke cituar një letër nga një pastor evangjelist që denoncoi bombardimin e komuniteteve të krishtera.
Nëse duan të flasin me Venezuelën do ta bëjnë këtë ballë për ballë, pa asnjë problem. Ajo që nuk mund të lejojmë, siç thotë letra e pastorit evangjelist, bombardimi dhe masakra e një populli të krishterë në Venezuelë, nuk mund të lejohet.
Qëndrimi i Venezuelës është i palëkundur: respekt absolut për të drejtën ndërkombëtare. Ne e hedhim poshtë me vendosmëri kërcënimin ose përdorimin e forcës për të imponuar rregulla midis vendeve.
Komentet erdhën pasi Trump u tha gazetarëve se administrata e tij mund të zhvillojë bisedime me Maduron, në një moment të caktuar për të adresuar tensionet në rritje. Por, dje në një prononcim, shefi i Shtëpisë së Bardhë theksoi se nuk e ka përjashtuar mundësinë e dislokimit të forcave amerikane brenda Venezuelës. Qeverinë e Maduros e akuzoi për përfshirje në trafikimin e paligjshëm të drogës në SHBA.
Nuk dua të përjashtoj asgjë. Thjesht duhet të kujdesemi për Venezuelën. Ata lëshuan qindra mijëra njerëz në vendin tonë nga burgjet.
Tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit. SHBA-të kanë vendosur një armatë anijesh luftarake dhe mijëra trupa amerikane në rajon, kanë kryer sulme vdekjeprurëse ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge, kanë autorizuar veprime të fshehta të CIA-s dhe kanë kërcënuar me sulme tokësore në Venezuelë.