Rajoni

Presidentja Osmani kërkon zgjidhje urgjente për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e qeverisë!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bën thirrje që Kuvendi të konstituohet dhe qeveria të zgjidhet sa më shpejt, duke theksuar se çdo vonesë është në dëm të vendit dhe të qytetarëve.

Që Kuvendi të konstituohet urgjentisht, që qeveria të zgjidhet po ashtu urgjentisht, çdo ditë e humbur është ditë e humbur për Kosovën, për popullin e saj, për perspektivën tonë euroatlantike, kështu që shpresoj që të gjendet një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën, tha presidentja Osmani.

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës tani ka mbetur peng i votimit për nënkryetarin serb. Pasi Lista Serbe refuzoi ta ndryshonte kandidatin, kur i propozuari i saj dështoi tri herë t’i merrte votat e nevojshme, kryeparlamentari vendosi që emri i ri të përcaktohej me short. Në këtë proces u përfshi edhe Nenad Rashiç, nga një tjetër parti serbe. Juristët theksojnë se këto zhvillime bien ndesh me Kushtetutën.

Ndryshe nga vitet e kaluara, kur për dy nënkryetarë votohej bashkë, këtë vit votimi është ndarë. Juristët vlerësojnë se një gjë e tillë bie ndesh me Kushtetutën, por se për ta konfirmuar këtë, dikush duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Përfaqësuesja e komuniteteve të tjera joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit. Por, procesi u bllokua kur erdhi puna te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb. Lista Serbe që në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli të propozonte Sllavko Simiçin. Megjithatë, ai nuk arriti të siguronte 61 votat e nevojshme as pas tri raundeve të votimit.

Pasi Lista Serbe nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb.

Përveç disa deputetëve të tjerë të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiç nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, aktualisht ministër në detyrë në qeverinë e Albin Kurtit. As Rashiç nuk arriti që të merrte votat e nevojshme, ndërkohë që juristët po vënë në dyshim edhe kushtetutshmërinë e një zgjedhjeje të mundshme të tij.

Ndërkaq, Kushtetuta e Kosovës thotë se nënkryetari “do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara të komunitetit serb”.