Konsumi i karburanteve shënoi rënie të ndjeshme në muajin prill, sipas të dhënave zyrtare të vëna në dispozicion për “Monitor”-in nga Drejtoria e Doganave.
Në prill, në pompat e pikave të tregtimit me pakicë, gjithsej qarkulluan 33 mijë ton naftë ose 39.2 milion litra nga gati 40 mijë ton apo 47 milion litra në të njëjtin muaj të një viti më parë. Rënia e konsumit është e fortë prej 16.4%.
Operatorët e tregut pohojnë se rënia e konsumit lidhet me shtrenjtimin e çmimit të naftës në vend dhe diferencën e tij me vendet e tjera të rajonit, sidomos Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut. Kjo ka bërë që shumë makina të furnizohen në pikat kufitare me këto dy shtete.
Çmimi mesatar i naftës në vend në prill ishte rreth 210 lekë për litër, sipas vendimeve të Bordit të Transparencës, ndërsa një vit më parë luhatej në afro 172-175 lekë/litër.
Në vendet e rajonit, nafta ishte 30-40% më e lirë, si rrjedhojë e barrës më të ulët në taksa dhe masave më të forta fiskale që morën për të mos lejuar rritjen e çmimeve finale që paguhen nga konsumatori.
Për 4 mujorin, konsumi ishte 142.7 mijë ton, me një tkurrje prej 3.6% me bazë vjetore, teksa në tre muajt e parë të vitit ai kishte qenë i qëndrueshëm (rritje 1%).
Edhe importet kanë ndjekur të njëjtën tendencë rënëse, duke rënë me 14%, në 52 mijë ton për muajin prill. Për 4 mujorin, importet ranë me 5%.
Qeveria kompensoi rënien e konsumit, pasi arkëtoi më shumë taksa nga çmimi i lartë
Të dhënat e doganave tregojnë se megjithëse konsumi dhe importi kanë qenë në rënie në prill, të ardhurat doganore nga karburanti i zhdoganuar kanë qenë të qëndrueshme, si rrjedhojë e rritjes së çmimit të zhdoganimit.
Sipas të dhënave zyrtare, në prill 2026, vlera e zhdoganuar për njësi ishte 99 lekë për litër, përkundrejt 49.8 lekëve për litër në të njëjtin muaj të një viti më parë, ose dy herë më e lartë. Si rrjedhojë, të ardhurat doganore nga karburanti i zhdoganuar (taksa doganore, akcizë+TVSH) ishin 2.86 miliardë lekë në prill, pothuajse me të njëjtët nivele sa një vit më parë (2.97 miliardë lekë).
Ndërkohë, për gjithë 4 mujorin, të ardhurat doganore ishin 10.7 miliardë lekë, me një rritje prej 1.5% me bazë vjetore. Rritja më e fortë ishte në mars, me 16.5%, ku qeveria arkëtoi më shumë si nga çmimi më i lartë (81.4 lekë zhdoganimi, përkundrejt 57 lekë një vit më parë), ashtu dhe nga shtimi i konsumit.
Duke përfshirë dhe benzinë, të ardhurat doganorë për 4 mujorin 2026 arritën në 13.1 miliardë lekë, me rritje 2.1% me bazë vjetore./Monitor