Aktualitet

Pretendimet për farsën elektorale, Rama i përgjigjet Berishës me thënien e presidentit Biden!

Akuzave të Sali Berishës për farsë elektorale më 14 Maj, kryeministri Edi Rama zgjedh t’iu përgjigjet me ironi. Në rrjetet sociale publikoi një thënie të presidentit amerikan, Joe Biden:

Demokracia nuk mund të mbijetojë kur njëra anë beson se ka vetëm dy rezultate për një zgjedhje: ose ata fitojnë ose atyre iu është vjedhur fitorja!

Në zgjedhjet e tre ditëve më parë, Partia Socialiste fitoi drejtimin e 53 bashkive, ndërsa Koalicioni “Bashkë Fitojmë” i Berishës dhe Metës, në vetëm shtatë. Eshtë fjala për Kavajën, Hasin, Pukën, Fushë-Arrëzin, Mirditën, Memaliajn e Himarën. Në Bashkinë e Finiqit fitoi kandidati i partisë MEGA nga minoriteti grek.

Përfaqësuesit e opozitës që humbi dhe bastione si Shkodra e Kamza  reaguan, duke mos pranuar rezultatin. Berisha tha se “procesi u manipulua” e shtoi se “qytetarët votuan nën terrorin e bandave të qeverisë”.

Farsa zgjedhore 2023 si farsa elektorale më e shëmtuar e Shqipërisë dhe Europës, po kundërmon çdo ditë e më shumë. Me këtë rast, unë vlerësoj raportin e OSBE/OD’HIR-it, të Autoriteteve Lokale Rajonale e të Parlamentit Europian, të cilët dëshmuan se zgjedhësit shqiptarë votuan nën presion dhe jo të lirë. Kjo është kryefjala e këtyre zgjedhjeve, ku me presione të të gjitha llojeve, Edi Rama ndryshoi në mënyrë antikushtetuese, antiligjore vullnetin e shqiptarëve, ndryshoi rezultatin e votimit.

Raporti ndonëse është paraprak dhe jo përfundimtar, vë gishtin në problemet më madhore të këtyre zgjedhjeve, duke filluar nga makineria shtetërore elektorale si një përbindësh shkatërrimtar i procesit zgjedhor, si një akt që krijon pabarazinë më të madhe në proces. Ndalet në të gjitha format antiligjore të ndërhyrjes në vullnetin e qytetarëve shqiptarë nga qeveria, nënvizon blerjen masive të votës, gjer dhe presionet e tjera të administratës mafioze, më e pranishme se kurrë në qendrat dhe procesin e votimit.

Shkodra votoi nën pushtim të vërtetë. Nëse mendon ti apo ndokush tjetër se tërhiqet Sali Berisha para krimit, ai sheh veshin pa pasqyrë. Unë kurrë nuk tërhiqem para bandave të krimit shtetëror dhe joshtetëror. Shkodra është shembulli më i shëmtuar, ku u votua si në rrethim nga banda të Edi Ramës.

E kemi të qartë si në dritën e diellit përpjekjen e narkoshtetit për të asgjësuar opozitën e vërtetë si pjesëmarrëse në zgjedhje. Ajo jo vetëm i konfiskoi vulën, jo vetëm e privoi nga të gjitha fondet që i takonin me ligj e Kushtetutë, por kaloi në aktin më absurd të mohimit të aktit të koalicionit për të zgjedhur kryetarin e tij dhe i tmerruar nga emri i Sali Berishës, nuk i lejoi regjistrimin.