Apeli i GJKKO-së ka lënë në burg kryebashkiakun e shkarkuar të Tiranës, Erion Veliaj, i cili pretendoi shkelje gjatë procesit hetimor nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sot, Apeli i Posaçëm vendosi lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 20.10.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 240 akti, datë 14.10.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim E.V., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 43 akti, datë 01.09.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Konstatimi i shkeljeve procedurale të Prokurorisë së Posaçme gjatë fazës së hetimeve paraprake të procedimit penal nr. 27, të vitit 2024 dhe pavlefshmërinë e veprimeve hetimore” dhe vendosi:
– Lënien në fuqi të Vendimit nr. 43 akti, datë 01.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, thuhet në vendim.
Në dosjen e dërguar për gjykim nga SPAK, ndaj Erion Veliajt rëndojnë 13 akuza, ndërsa ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, 12. Akuzat përfshijnë korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Sipas hetimeve, Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se kanë përvetësuar në mënyrë të paligjshme para dhe pasuri të paluajtshme përmes subjekteve tregtare dhe organizatave jofitimprurëse, të cilat nga ana e tyre kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Kujtojmë se një muaj më parë, Qeveria “Rama 4” firmosi shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas një mungese 7-mujore në detyrë, duke qenë nën arrest me burg nga SPAK për disa akuza. Qeveria i dërgoi më pas presidentit Bajram Begaj për dekretim datën e zgjedhjeve në 6 bashkitë e vendit dhe kreu i shtetit dekretoi datën 9 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore.
Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e dekretit të presidentit për Bashkinë e Tiranës, bashki e cila drejtohej nga Erion Veliaj.