Aktualitet

Kërkon lirimin kundrejt garancisë pasurore, Beqaj ankimon në Apelin e Posaçëm vendimin e GJKKO-së!

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka ankimuar në Apelin e Posaçëm vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), që rrëzoi kërkesën e tij për zëvendësimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, me garanci pasurore.

Beqaj mbahet në qeli prej korrikut të vitit 2024, pasi po hetohet nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me dosjen “SASPAC”, agjenci që drejtohej prej tij në kohën kur dyshohet se janë kryer shkeljet.

Sipas SPAK-ut, ndaj ish-zyrtarit të lartë rëndojnë pesë akuza penale, përfshirë “Korrupsion pasiv”, “Shkelje të barazisë në tendera”, “Falsifikim dokumentesh”, “Mashtrim në bashkëpunim” dhe “Mosdeklarim pasurie”.

Paralelisht me hetimin për çështjen “SASPAC”-ut, Beqaj po përballet edhe me procesin gjyqësor për dosjen e “Sterilizimit”, një çështje e ndarë nga grupi tjetër i të pandehurve, të cilët u dënuan pak javë më parë nga Gjykata e Posaçme.