Qeveria e Kosovës ka ndarë gjysmë milion euro si ndihmë humanitare për palestinezët në Gaza, pas arritjes së armëpushimit më herët gjatë këtij muaji dhe që çoi në ndalimin e luftës 15-mujore në enklavën palestineze. Kryeministri i vendit, Albin Kurti, vuri në dukje se armëpushimi i arritur mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, mundëson dërgimin e ndihmave në Gaza.
Qeveria shpreson dhe bën thirrje që ky armëpushim i përkohshëm të shfrytëzohet për arritjen e paqes së qëndrueshme, pra paqe të drejtë e po ashtu, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete, deklaroi Kurti.
Albin Kurti shtoi edhe se lufta në Gaza ka shkaktuar viktima të shumta e dëme materiale, ndaj palestinezëve iu duhen ndihma nga shtetet e tjera që të “mbijetojnë dhe rindërtojnë vendin e tyre”.
Më 19 janar, hyri në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, duke mundësuar lirimin e pengjeve që mbahen në Gaza, në këmbim të të burgosurve palestinezë në Izrael, si edhe dërgimin e ndihmave humanitare dhe kthimin e palestinezëve në shtëpitë e tyre.
Lufta detyroi popullsisë prej 2.3 milion banorësh të zhvendoseshin nga shtëpitë e tyre, shpesh më shumë se një herë, si dhe shkaktoi shkatërrime të mëdha në enklavë. Një vlerësim i dëmeve, i bërë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, si dhe i publikuar këtë muaj, tregoi se pastrimi i mbi 50 milion tonëve rrënojave të mbetura si pasojë e bombardimeve të Izraelit, mund të zgjasë 21 vjet.
Lufta në Gaza nisi pasi më 7 tetor 2023, Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë rreth 1 mijë 200 persona, shumica civilë, si dhe duke rrëmbyer rreth 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 47 mijë palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, referuar Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën palestineze.