Në Prishtinë, sot presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani hapi punimet e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë e në fjalën e saj, theksoi:
Nëse dëshirojmë të mirëmbajmë paqen, këtë mund ta bëjmë vetëm nëse gratë janë në tavolinat vendimmarrëse.
Për herë të parë, forumi i njohur si WPS, po mbahet në Kosovë dhe organizimi i tij ishte zotim i Kosovës në kuadër të Samitit për Demokraci, që u zhvillua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vitin e kaluar.
Osmani u shpreh e trishtuar për faktin se ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e cila ndërroi jetë në mars të këtij viti, nuk mund të shohë organizimin e forumit.
Znj.Albright ishte planifikuar si folësja kryesore. Albright do të mbetet një figurë historike për këtë vend, për kontributin e dhënë për sigurinë e paqen.
Folëset dhe panelet e këtij forumi kanë për qëllim diskutimin mbi gratë e rolin e tyre në zona të konfliktit.
Kemi këtu përfaqësues të Ukrainës dhe gazetare nga Ukraina. Ajo që po dëshmon vendi juaj, na kthen kujtesën tonë të luftës.
Vjosa Osmani foli për pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës që nisi më 24 shkurt të këtij viti. Kryetarja e Shtetit përmendi edhe kontributin e grave kosovare para, gjatë e të pasluftës në fund të viteve ‘90 në Kosovë, si dhe rëndësinë e barazisë së grave në përparimin e shteteve.
Historia e Kosovës është historia e secilës grua që ka hequr një gur nga rruga drejt barazisë.
Sipas agjendës zyrtare, në edicionin e parë të tij, forumi mbledh 126 folës nga 33 shtete, 6 kontinente e mbi 400 pjesëmarrës, të cilët gjatë dy ditëve do të trajtojnë çështje që kanë të bëjnë më gratë, paqen e sigurinë. Në punimet e Forumit WPS u ftuan të marrin pjesë edhe liderë botërorë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj e përfaqësues nga të tjera grupe të interesit.