Bota

Ndërron jetë në moshën 84 vjeçare Madeleine Albright, gruaja e parë që mbajti postin e sekretares së Shtetit!

Madeleine Albright, e para Sekretare Amerikane e Shtetit, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.

Lajmi është konfirmuar me anë të një email-i për stafin e Albright Stonebridge Group, një firmë e themeluar nga Albright.

Madeleine Albright ka qenë figurë kryesore e administratës së Presidentit Bill Clinton, fillimisht duke shërbyer si ambasadorja amerikane në OKB, përpara se të bëhej Sekretare Shteti.

Ajo punoi për zgjerimin e NATO-s, këmbënguli që aleanca të ndërhynte në Ballkan, kërkoi të ndalej zgjerimi i armëve bërthamore dhe luftoi për të drejtat e njeriut dhe demokraci në të gjithë botën.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ndarjen nga jeta të Sekretares së Shtetit Madalene Albright.

“Lajm i trishtueshëm ndarja nga jeta e Sekretares së Shtetit, Madalene Albright, gruaja që mbikëqyri rrugën e lirisë së Kosovës”, shkruan Rama.

Deputeti Lulzim Basha ka reaguar për ndarjen nga jeta të Madeleine Albright, duke vlerësuar mbështetjen e saj të dhënë për Shqipërinë dhe Kosovën.

“Prehu në paqe Madeleine Albright, Sekretarja e parë femër e Shtetit në SHBA. Përgjithmonë mirënjohëse për mbështetjen e saj të vendosur për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë shtytjen e saj që aleanca të ndërmarrë veprime vendimtare për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë”, shkruan Basha