Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot pritet të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj katër të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt. Fillimisht, seanca nisi më 27 janar, por u ndërpre pasi avokatët e dy prej të akuzuarve thanë se nuk ishin njohur dot në kohë dosjen. Ata thanë se duke mos pasur shkresat e nevojshme, nuk mund të këshillojnë klientët e tyre si të deklarohen për aktakuzën. Gjyqtarja u kërkoi që në seancën e 31 janarit, ekipet mbrojtëse të jenë të përgatitura.
Të akuzuar janë bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, si dhe tre të tjerë, Kushtrim Kokalla, Granit Plava e Tom Dodaj. Më 15 janar të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se kishte ngritur aktakuzë për vrasjen e 30-vjeçares Ademaj. Liridona Ademaj u ekzekutua më 29 nëntor 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Fillimisht, rasti ishte raportuar si “grabitje me pasojë vrasje”, por dy ditë më vonë autoritetet arrestuan dy persona. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli.
Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviç deklaroi se gjatë që jetonte në Suedi, çifti kishte patur “marrëdhënie të trazuara martesore”. Për shkak të tyre erdhën edhe problemet e pronësisë. Më 15 janar, Përlinçeviç shprehej:
Arsyet e tjera që kishte Naimi për të planifikuar dhe kryer këtë vrasje mund t’i mësoni në gjykatë kur të fillojë seanca kryesore. Gjetja e motivit të vrasjes kishte bërë që procesi i ngritjes së aktakuzës të merrte më shumë kohë.
Deri te ky informacion, autoritetet erdhën pas bashkëpunimit me shtetin e Suedisë, pasi Prokuroria në Prishtinë kishte kërkuar të dhëna rreth jetës së çiftit dhe marrëdhënies së tyre martesore.
Vetëm atëherë arritëm të krijojmë një pamje të plotë të jetës së tyre dhe të gjejmë motivin që e shtyu Naim Murselin të marrë vendimin për largimin e Liridonës, për të mos thënë likuidimin e saj, sepse mënyra e kryerjes së veprës tregon qartë një akt të tillë si likuidim.
Sipas Prokurorisë, Naim Murseli kishte “planifikuar gjithçka”, ndërsa Kokalla dhe Plava ishin “ekzekutues të drejtpërdrejtë” të Liridonës. I akuzuari i katërt nuk u përfshi në mënyrë direkte në këtë rast. Dyshohet se ai i ka shitur armën ekzekutorit. Murseli, Kokalla dhe Plava gjenden në paraburgim, ndërsa Dodaj po mbrohet në liri.
Vrasja e Liridona Ademajt shkaktoi zemëratë në publik edhe për faktin që bashkëshorti i saj kishte qenë pjesë e ceremonisë së varrimit. Familja e Liridonës kërkoi zhvarrosjen, që ajo të prehej vranë varrezave të prindërve. Ndërkaq, aktivistët për të drejtat e grave kanë kërkuar që Liridona të mos identifikohej më me mbiemrin e bashkëshortit, por me atë të familjes së saj, Ademaj.