Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murseli dhe Granit Plava, ndërsa Kushtrim Kokalla me 30 vjet burg, për vrasjen e Liridona Ademaj në vitin 2023.
Prokuroria e cilësoi krimin të planifikuar, ndërsa të akuzuarit mohuan fajësinë dhe pretenduan mungesë provash direkte. Familjarët e viktimës kërkuan drejtësi maksimale për rastin.
Çfarë thanë para gjyqit Naim Murseli dhe të tjerët?
Në të dy deklarimet për akuzat që e ngarkojnë, Murseli ka mohuar fajësinë për vrasjen e Ademajt, duke thënë se nuk ka paguar, porositur apo ndihmuar në vrasjen e bashkëshortes së tij.
Ai pretendon se natën kritike familja ishte përballur me një grabitje, dhe se ai nuk ka qenë në veturë në momentin e vrasjes, duke e quajtur çdo akuzë ndaj tij si të pavërtetë.
Ndërsa Plava nuk ka pranuar të deklarohet rreth fajësisë, por gjatë dëshmisë së tij ai ka thënë se veprimet i kishte bërë sipas marrëveshjes me Murselin, që ky vetëm ta merrte përgjegjësinë për rastin.
Ai pretendon se në momentin kritik vetëm dëgjoi krismën, dhe më pas iu tha të largohej nga vendi i ngjarjes, bashkë me armën që ishte kryer vrasja, duke pohuar se më pas kishte ikur me shpejtësi.
Gjatë dëshmisë së tij, ai ka mohuar përfshirjen në krim, duke theksuar se për ngjarjen kishte mësuar fillimisht nga mediat.