Rajoni

Vrasja në Kosovë e Liridona Ademajt, sot vendimi!

Vrasja e Liridona Ademajt, Gjykata Themelore në Prishtinë sot shpall vendimin ndaj Naim Murselit, Granit Plavës e Kushtrim Kokallës, të akuzuar për krimin e 29 nëntorit 2023. Në fjalët përfundimtare në gjyqin ndaj tyre, Prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm, duke deklaruar se ekzekutimi i 30-vjeçares, bashkëshorte e Murselit, u krye në mënyrë të planifikuar.

Duke kundërshtuar akuzat e Prokurorisë, avokatët e të akuzuarve thanë se nuk ka prova të drejtpërdrejta se Murseli, Plava dhe Kokalla kryen veprat penale.

Vëllai i Ademajt kërkoi burgim të përjetshëm për Murselin, Kokallën dhe Plavën, duke thënë se vrasja ishte e organizuar nga të akuzuarit dhe e ka lënë familjen në dhimbje të madhe.

Çfarë thanë para gjyqit Naim Murseli dhe të tjerët?

Në të dy deklarimet për akuzat që e ngarkojnë, Murseli mohoi fajësinë për vrasjen e Ademajt, duke thënë se nuk ka paguar, porositur apo ndihmuar në vrasjen e bashkëshortes së tij.

Po ashtu, pretendon se natën kritike, familja u përball me një grabitje dhe se ai nuk ishte në autoveturë në momentin e vrasjes, duke e quajtur çdo akuzë, “të pavërtetë”.

Plava nuk pranoi të deklarohej rreth fajësisë, por gjatë dëshmisë, u shpreh se veprimet i kishte bërë sipas marrëveshjes me Murselin. Ai pretendon se në momentin kritik vetëm dëgjoi krismën dhe më pas iu tha të largohej nga vendi i ngjarjes, bashkë me armën me të cilën u krye vrasja, duke pohuar se më pas, iku me shpejtësi.

Kokalla, i cili fillimisht s’kishte pranuar të deklarohej, më vonë, tha se është i pafajshëm. Gjatë dëshmisë, mohoi përfshirjen.

Si dyshohet se ndodhi vrasja?

Mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-ës, Liridona Ademaj u vra në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës, kur ishte në makinë me bashkëshortin Naim Murselin dhe dy fëmijët e tyre.

Aktakuza e ngarkon Murselin se kishte planifikuar vrasjen, që të përfitonte nga sigurimi i saj jetësor në Suedi, në vlerë rreth 260 mijë euro.

Kokalla akuzohet se prezantoi Murselin me Plavën, i akuzuar si ekzekutor.