Seanca fillestare për katër të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt u shty për më 31 janar, në orën 11:00, pasi ekipet mbrojtëse thanë se nuk kanë pranuar “shkresat e lëndës dhe nuk ka kushte për mbajtjen e kësaj seance sot”. Gjykatësja i paralajmëroi avokatët që në këtë datë të re të jenë të përgatitur.
Në Gjykatën Themelore, avokati i të akuzuarit, Kushtrim Kokalla, u shpreh se kjo seancë nuk mund të mbahet, pasi pretendoi se nuk ka pranuar aktakuzën, shkresat e tjera të lëndës dhe CD-të me prova për këtë rast. Ai vuri në dukje se nuk është në gjendje ta këshillojë klientin e tij, as si të deklarohet për akuzat e as nuk mund t’i kundërshtojë provat.
Për mua nuk janë plotësuar kushtet që të mbahet kjo seancë, tha avokati Ndrec Dodaj.
Por, prokurorja e rastit tha se shkresat, CD-të dhe aktakuzat janë dorëzuar më 22 janar te avokati i Granit Plavës, i cili e ka pranuar aktakuzën edhe për avokatin e Kokallës. Avokatët e të akuzuarve Kushtrim Kokalla dhe Tomë Dedaj, deklaruan se nuk kanë marrë shkresat pasi nuk po iu funksiononte email-i. Gjithashtu, ata kërkuan shtyrjen e seancës.
Eshtë e vërtetë që kam pas probleme me email. Sot e kam marr aktakuzën, nuk kam shkresa të tjera të lëndës, tha Agron Kuçi, avokati i Tom Dedajt.
Avokati i Kokallës u dënua me 500 euro për prishje të rendit në seancës, mosbindje ndaj gjyqtares. Në seancë të pranishëm ishin tre persona të akuzuar për këtë rast, përfshirë bashkëshortin e Liridonës, Naim Murseli. Fillimisht gjykatësja pyeti të akuzuarit për informacionet e përgjithshme, si datëlindja e tyre, statusi martesor, niveli i arsimit, gjendja ekonomike e të ngjashme.
Para nisjes së seancës së sotme që u shty nga gjykatësja, familja e Liridonës tha se beson në drejtësi dhe shpreson që gjykimi të jetë “efikas, profesional, pa gabime, pa vonesa dhe transparent”. Më 15 janar të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se kishte ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen e 30-vjeçares Ademaj.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, rasti ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por dy ditë më vonë autoritetet arrestuan dy persona. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Të akuzuarit e tjerë janë Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe një person i katërt, emri i të cilit nuk është përmendur nga prokurorët kur ata njoftuan për ngritjen e aktakuzës.