Rajoni

Propozimi francez ndan partitë politike në Maqedoninë e Veriut!

Propozimi francez për zhbllokimin e integrimit europian të Maqedonisë së Veriut u paraqit në takimin e grupeve punuese të partive politike maqedonase, ku duhej të shkëmbeheshin idetë për mënyrën si duhet të veprojnë parlamenti dhe qeveria në fazën e ardhshme. Aty u paraqitën qëndrime të ndryshme. Zv.kryeministri për Çështjet Europiane, Bojan Mariçiç:

Ishte takim i mirë me këto qëndrime dhe mendoj se në ditët në vijim duhet të vazhdojmë të bisedojmë. Qëllimi është që me propozimin europian të mos kemi bllokada të mëtejshme të pafundme. Nëse i zhvillojmë mirë negociatat, mund të përfundojmë si vend anëtar i BE-së në vitet e ardhshme, deri në fund të kësaj dekade.

Koordinatori i Grupit Parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitrevski, deklaroi se të gjitha grupet parlamentare i kanë dërguar propozim-konkluzionet e tyre, të cilat duhet të miratohen në lidhje me informacionin që qeveria duhet t’i dërgojë Parlamentit.

Në seancë në Parlament duhet të votohen konkluzionet dhe ato janë në kontekstin e përcaktimit tonë strategjik e që çështjet dypalëshe të përjashtohen nga korniza e negociatave e ta detyrojmë qeverinë të marrë parasysh përcaktimin e veçantisë së veçorive historike, kulturore, gjuhësore dhe arsimore të popullit maqedonas.

Por, nënkryetari i VMRO-DPMNE/së, Aleksandar Nikoloski, prezantoi një sërë vërejtjesh të kësaj partie ndaj qëndrimit të përgjithshëm të BE-së për kornizën e negociatave dhe qëndrimit të përbashkët të BE-së për negociatat për anëtarësim.

Një pjesë e komenteve janë edhe kërkesa për fshirjen e pikave nga dokumentet, si ajo për deklaratat përkatëse të njëanshme të Bullgarisë dhe vendit për gjuhën maqedonase. Përjashtimi i Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë e rishikimet vjetore për zbatimin efektiv të saj nga Kuadri Negociator. Po ashtu, refuzimi i kushtëzimit të hapjes së negociatave nga grupimet me ndryshim të Kushtetutës, por që ato të fillojnë menjëherë.

Deputeti Arbër Ademi nga BDI-ja:

E kemi kornizën e negociatave, do të kemi fillimin e negociatave. Parashikohet që menjëherë të fillojmë procesin e shqyrtimit, parashikohet qartë që çdo shtet tjetër anëtar i BE-së do ta kalojë këtë proces shqyrtimi, u deshën 8, 12, 20 muaj, por pres nëse arrijmë të bëjmë ndryshime kushtetuese.

Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët sqaroi se në takim u diskutua për propozim të përbashkët të mundshëm për një konkluzion nga Parlamenti dhe janë pajtuar që të vazhdojnë bisedimet.