Policia Kufitare Kakavijë njofton se sipas informacionit të marrë nga Policia Kufitare Greke, ditën e sotme aksesi rrugor Kakavijë-Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq do të jetë i bllokuar nga ora 14:00 deri në 17:00 (ora greke) për shkak të protestës së fermerëve.
Gjatë kësaj periudhe, do të lejohet qarkullimi vetëm i automjeteve me emergjenca shëndetësore. Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve në orare të tjera të ditës, për të shmangur vonesat dhe pengesat në rrugë.
Qeveria greke tha se “pret kërkesat e fermerëve”, por në realitet drafti i tyre është i njohur. Ekzekutivi po shqyrton mundësinë e një kompromisi në çmimin e energjisë elektrike bujqësore, që aktualisht është “fiksuar” në 9.2 cent/kWh, por jo në mënyrë horizontale për të gjithë.
Fermerët kërkojnë zbritjen në 7 cent/kWh për të gjithë sektorin. Disa aktorë besojnë se zgjidhja mund të arrihet në 8 centë. Në diskutimet joformale është përfshirë edhe PPC, si furnizuesi kryesor, megjithëse çmimi aktual për disa kategori thuhet se është nën kosto.
Sa i përket naftës bujqësore, Athina zyrtare duket e gatshme të diskutojë zgjerimin e kufijve të subvencioneve. Kryeministri Mitsotakis hapi gjithashtu derën për negociata me BE-në për subvencione mbi produktet bujqësore me çmim të ulët, por jo për vendosjen e një çmimi minimal horizontal.
Qeveria greke kërkon kohë dhe dialog, ndërsa fermerët, garanci dhe zgjidhje konkrete. Zbardhja e ditëve të ardhshme pritet të përcaktojë nëse Mitsotakis do të arrijë një kompromis të ri apo vendi fqinj do të përballet me një përshkallëzim të situatës.