Një studim i fundit ka zbuluar se dhimbja emocionale dhe trauma mund të shkaktojnë jo vetëm probleme mendore, por edhe ndikime fizike të dëmshme në zemër.
Kjo gjendje, e njohur si “sindroma e zemrës së thyer”, shkakton simptoma si gulçim dhe dhimbje gjoksi, por për fat të mirë, nuk bllokon rrjedhën e gjakut në arterie.
Për të kuptuar më mirë këtë fenomen, studiuesit kanë zbuluar se trauma emocionale dhe fizike mund të shkaktojnë një reagim të sistemit imunitar, duke çuar në inflamacion të muskulit të zemrës.
Dana Dawson, profesore në Universitetin e Aberdeen, thekson se ky inflamacion mund të dërgojë sinjale në të gjithë trupin, duke ndikuar negativisht në shëndetin e zemrës.
Kjo sindromë prek kryesisht gratë dhe mund të shkaktojë dëmtime afatgjata në muskulin e zemrës. Megjithatë, studiuesit pranojnë se ka ende shumë pasiguri në lidhje me mekanizmat e saktë biologjikë që qëndrojnë pas saj.
Profesor Metin Avkiran, nga Fondacioni Britanik i Zemrës, shpjegon se studimi është një hap i rëndësishëm, por kërkohen më shumë hulumtime për të kuptuar më mirë ndikimin e inflamacionit në zemër dhe mundësinë e përdorimit të ilaçeve për të trajtuar këtë gjendje.
Ky hulumtim i botuar në revistën “Circulation” tregon se trajtimi i inflamacionit mund të jetë çelësi për trajtimin e zemrës së thyer.
Studimi ka hapur mundësinë për trajtime të reja, të cilat mund të ndihmojnë në rregullimin e zemrës pas një episode të sindromës së zemrës së thyer.