Dasma madhështore e Dua Lipa dhe Callum Turner në Siçili po konsiderohet si një nga ngjarjet më të mëdha të showbiz-it këtë vit, por historia e dashurisë së tyre është po aq magjike sa vetë ceremonia.
Pas martesës civile në Londër dhe festimeve luksoze treditore në Palermo, shumë fansa po rikthejnë vëmendjen te mënyra se si nisi romanca mes çiftit, një histori që duket sikur ka dalë nga një komedi romantike hollivudiane.
Para se të lidhej me Callum Turner, Dua Lipa ishte përfolur për një lidhje me regjisorin francez Romain Gavras, ndërsa aktori britanik kishte pasur një marrëdhënie me aktoren Vanessa Kirby.
Megjithëse kishin qenë pranë njëri-tjetrit disa herë, takimi i parë mes tyre ndodhi në restorantin e famshëm “The River Cafe” në Londër, ku u prezantuan nga pronarja e lokalit. Takimi ishte i shkurtër dhe asgjë nuk ndodhi në atë moment.
Fati, megjithatë, kishte plane të tjera…
Rreth një vit më vonë, ata u takuan sërish rastësisht në Los Anxhelos. Dua ishte duke darkuar me mikun e saj Mustafa the Poet, ndërsa Callum ndodhej në qytet për promovimin e serialit të tij.
Këngëtarja ka rrëfyer më vonë se e njohu menjëherë aktorin dhe mendoi:
Ja ai djali shumë tërheqës nga River Cafe.
Ajo që e bëri momentin edhe më të veçantë ishte fakti se të dy po lexonin të njëjtin libër, Trust. Madje, të dy kishin përfunduar pikërisht kapitullin e parë në të njëjtën kohë.
Pak kohë më vonë, Dua mori pjesë në festën pas premierës së filmit të Callum dhe aty nisën thashethemet e para për një romancë. Një video ku ata vallëzonin ngadalë dhe shkëmbenin një puthje bëri xhiron e rrjetit.
Në muajt që pasuan, dyshja u panë shpesh së bashku në evente prestigjioze, ndërsa në maj të vitit 2024 e konfirmuan publikisht lidhjen përmes një fotografie në rrjetet sociale.
Marrëdhënia e tyre u forcua shpejt. Ata kaluan festat e fundvitit së bashku, ndërsa në fillim të vitit 2025 fansat vunë re një unazë të madhe diamanti në dorën e këngëtares, duke ndezur menjëherë spekulimet për fejesë.
Vetëm pak muaj më vonë, Dua konfirmoi se ishte fejuar me aktorin britanik. Në një intervistë ajo u shpreh se ideja për të plakur së bashku dhe për të mbetur miqtë më të mirë përjetë e bënte jashtëzakonisht të lumtur.
Tashmë, pas më shumë se dy vitesh lidhje, çifti ka kurorëzuar dashurinë me martesë. Ceremonia luksoze në Siçili po cilësohet nga mediat ndërkombëtare si “dasma e showbiz-it e vitit”, me rreth 300 të ftuar dhe emra të njohur nga muzika, kinemaja dhe moda.
Mes të ftuarve raportohet se janë edhe Elton John, Charli XCX dhe Mark Ronson.
Nga një takim i rastësishëm në një restorant londinez deri te një dasmë përrallore në brigjet e Siçilisë, historia e Dua Lipës dhe Callum Turner po dëshmon se ndonjëherë dashuria mund të lindë pikërisht atëherë kur pritet më pak.