I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë sociologu Gëzim Tushi. Ai ka komentuar më shumë mbi ngjarjet tragjike të ndodhura muajin e fundit në vendin tonë. Si i shpjegon ai këto?
Pse ka kaq shumë konflikte në shoqërinë tonë, që shpesh përfundojnë dhe në mënyrë tragjike?
Shumë konflikte, sidomos mes të rinjve, ndodhin për sintagmën “pse më pe?”, “pse ma pe të dashurën time?”, apo “pse ma pe të dashurin tim?”. Vazhdon akoma kjo dhe ka pasur raste të konflikteve deri në konflikte tragjike. Nuk dua ta marr se sa njerëz kanë kryer veprime kriminale për këtë arsye banale, por duhet të them që si shoqëri kemi një defekt, që është defekt kulturor. Një shoqëri e emancipuar duhet të zhvillojë atë që një sociolog i madh britanik që quhet Anthony Giddens, e ka quajtur ‘pavëmendja civile’. E dini që ne si popull nuk e kemi të zhvilluar këtë ndjenjë të pavëmendjes civile? Ne e shikojmë njëro-tjetrin kot në sy, e shikojmë dhe nga mbrapa, pastaj merremi dhe me thashetheme. Të gjitha këto flasin për një lloj primitivizmi. Por çështja është që ky shkak kaq banal, “pse më pe?”, kthehet ndonjëherë në konflikt tragjik. Kështu që në këtë kontekst unë them që kemi nevojë të kultivojmë tek fëmijët tanë këtë kulturën e pavëmendjes civile. Është një komponent thelbësor modern i kulturës moderne të qytetërimit të sotëm.