Bota

Putin firmos dëbimin e ukrainasve që refuzojnë shtetësinë ruse!

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin firmosi një dekret që lejon dëbimin e banorëve të territoreve ukrainase të aneksuara në mënyrë të paligjshme, të cilët refuzojnë të marrin shtetësinë ruse. Dekreti i publikuar në faqen zyrtare për informacione ligjore, thotë se ukrainasit që jetojnë në territoret e aneksuara duhet të bëhen shtetas rus ose zyrtarisht të refuzojnë shtetësinë.

Sipas dekretit, “banorët që shprehin dëshirën të mbajnë shtetësinë ekzistuese apo të mbeten pa shtetësi dhe nuk bëjnë betimin për marrjen e asaj ruse do të konsiderohen të huaj, duke nisur nga 1 korriku i vitit 2024”.

Banorët e territoreve të aneksuara që marrin statusin e shtetasve të huaj apo qytetarëve pa shtetësi dhe kërcënojnë sigurinë kombëtare të Rusisë mund të jenë subjekt i dëbimit nga Rusia.

Ata që paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare, bëjnë thirrje për ndryshime të dhunshme të rendit kushtetues, financojnë aktivitete terroriste dhe ekstremiste apo marrin pjesë në aktivitete të paautorizuara mund që të dëbohen.

Më tej, në dekret thuhet:

Për më tepër, qytetarët të cilët kanë jetuar në territoret e pushtuara ukrainase në ditën kur ato janë aneksuar dhe personat që kanë jetuar në këto territore e më pas janë zhvendosur në Rusi, por që kanë deklaruar se duan të mbajnë shtetësinë ukrainase, po ashtu do të konsiderohen të huaj.

Më 30 shtator të vitit 2022, shefi i Kremlinit, Putin firmosi dokumentet për të formalizuar përpjekjet e Rusisë për të aneksuar rajonet ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Hersonit e Zaporizhjës. Këto rajone janë pjesërisht të pushtuara nga forcat ruse.

Para kësaj, Moska mbajti referendume të rreme në të katër këto rajone, rezultatet e të cilave u refuzuan gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.

Të katër rajonet, bashkë me Gadishullin e Krimesë që Moska e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014, përbëjnë rreth 20% të territorit të Ukrainës. Në zonat në fjalë përfshihen disa nga pjesët më të industrializuara të Ukrainës.