Bota

Qetësi në qytetet ukrainase në orët e para të armëpushimit të shpallur nga Kremlini!

Qytetet ukrainase duken më të qeta tani që ka hyrë në fuqi një armëpushim treditor i shpallur nga Rusia. Nuk pati sulme intensive me dronë apo raketa, pas disa netësh bombardimesh të pareshtura. Por, Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se avionët rusë hodhën dy herë bomba të telekomanduara në rajonin Sumi, në verilindje.

Sulmi i parë ndodhi pothuajse tri orë pasi hyri në fuqi armëpushimi, ndërsa i dyti brenda dy orësh. Nuk ka të dhëna për dëmet e shkaktuara.

Kryeqyteti Kiev është i qetë, ndërsa mbetet e paqartë nëse luftimet janë ndalur edhe në vijën e frontit. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shpalli armëpushimin 72-orësh për aktivitetet përkujtimore të 80-vjetorit të fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Në Moskë pret presidentin kinez, Xi Jinping dhe të tjerë liderë për festimet e Ditës së Fitores më 9 maj, përfshirë një paradë ushtarake në Sheshin e Kuq.

Mes të ftuarve janë edhe kryeministri sllovak, Robert Fico, i cili ka kritikuar hapur mbështetjen e BE-së për Ukrainën, si dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i cili vizitoi Moskën pavarësisht presionit nga BE-ja se kjo vizitë mund të dëmtojë ambiciet e Serbisë për anëtarësim në bllok. Kremlini njoftoi se Putin do të zhvillojë takime dypalëshe me liderët më 9 maj.

Ukraina nuk e ka pranuar armëpushimin, duke theksuar se Putini e shpalli vetëm për të krijuar një përshtypje se kërkon përfundimin e luftës. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se alarmet për sulme ajrore kishin rënë në të gjithë vendin pas një nate me sulme të rënda.

Gjatë natës pati një tjetër sulm rus me raketa dhe dronë, sulme balistike e mbi 140 dronë kamikazë vetëm në një natë, tha Zelensky. Ishte zhurmë në Kiev dhe në qytete të tjera. Fatkeqësisht ka të plagosur e të vrarë. Ukraina mbetet e përkushtuar ndaj propozimit për një armëpushim 30-ditor në këtë luftë, e cila nisi pasi Rusia e filloi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Propozimi për armëpushim 30-ditor u bë nga Shtetet e Bashkuara në mars dhe u pranua nga Ukraina. Rusia deklaroi se një marrëveshje e tillë mund të hyjë në fuqi vetëm nëse vendosen mekanizma për zbatimin e saj. Të dyja vendet përballen me presion nga presidenti amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund shpejt konfliktit më të madh në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Putin ka shprehur gatishmërinë për paqe, por zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, tha se “rusët po kërkojnë shumë”, ndërsa Amerika po përpiqet të sjellë palët në tryezën e bisedimeve. Vance shtoi se Ukraina nuk duhet të mbetet e fiksuar pas idesë së një armëpushimi 30-ditor.

Dallimet janë të thella, por jam mjaft optimist për mundësinë e përfundimit të luftës.