Ukraina ndërmori një sulm me dronë mbi Moskën, duke detyruar mbylljen e tre aeroporteve kryesore të kryeqytetit rus për disa orë, siç njoftuan burime zyrtare.
Të paktën 19 dronë ukrainas u shkatërruan teksa i afroheshin Moskës, deklaroi kryetari i bashkisë, Sergei Sobyanin në Telegram.
Sipas informacioneve paraprake, nuk pati “dëme serioze apo të lënduar” në vendin ku ranë mbetjet pranë njërës prej autostradave kryesore që çojnë në qytet. Fluturimet u ndaluan në të katër aeroportet e Moskës: Vnukovo, Domodedovo, Sheremetyevo e Zhukovsky.
Kjo për të garantuar sigurinë ajrore, siç bëri të ditur agjencia ruse e aviacionit në Telegram. Më pas, Rosaviatsia raportoi se fluturimet rifilluan në të katër aeroportet.
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Kievi për sulmin me dronë, por zyrtarët ukrainas patën thënë se të tilla sulme synojnë objektiva ushtarake e infrastrukturën që përdoret për të mbështetur përpjekjet e luftës së Moskës.
Ato janë një përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme ruse mbi zonat e banuara dhe infrastrukturën energjetike ukrainase.
Guvernatori i rajonit rus të Kurskut, pranë kufirit me Ukrainën, tha dje se forcat ukrainase sulmuan një nënstacion energjie në pjesën perëndimore të rajonit. Alexander Khinshtein, u shpreh se goditën nënstacionin në qytetin Rylsk, rreth 50 kilometra nga kufiri.
U plagosën dy adoleshentë dhe u dëmtuan dy transformatorë. Dëmtimi ndërpreu furnizimin me energji elektrike në zonë. Të dashur banorë, armiku, në agoni, po vazhdon të ndërmarrë sulme ndaj territorit tonë.
Zyrtarët ukrainas nuk komentuan situatën në Kursk, ku Ukraina kreu një inkursion surprizë gushtin e kaluar, duke shpresuar të ndryshonte situatën në pushtimin e plotë të Rusisë e të tërhiqte forcat ruse nga zona të tjera. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se forcat e Kievit vazhdojnë të veprojnë në Kursk e në rajonin fqinj rus të Belgorodit.
Komandanti i Përgjithshëm i Ukrainës, Oleksandr Syrsky, raportoi dje se operacioni në Kursk “ka arritur shumicën e objektivave të vendosura” dhe se zona tampon e krijuar nga Forcat e Armatosura të Ukrainës “mbetet e rëndësishme”. Autoritetet lokale në rajonin Sumy u bënë thirrje banorëve të evakuohen nga shtëpitë e tyre në dy qytete pranë kufirit rus Belopolye e Vorozhba.
Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës tha se forcat ruse kishin qëlluar me artileri mbi dy vendbanime në rajonin kufitar të Sumy-t, duke vrarë tre banorë e plagosur katër.