Nga hotelet luksoze te rrugicat e mbushura me instalacione, Zyrihu në Zvicër është një qytet me një prani të fortë, por të qetë artistike. Nëse Bazeli shkëlqen në Javën e Artit, Zyrihu ofron një skenë kulturore të pasur gjatë gjithë vitit, ku krijimtaria shndërrohet në përvojë.
Në hyrje të hotelit luksoz Dolder Grand, në vend të një klienti të lodhur, një vizitor mund të ndeshet me një… instalacion arti. Ky resort përrallor në kodrat e qytetit nuk është vetëm një vend për pushim me peizazhe alpine, por edhe një galeri me mbi 100 vepra të artistëve si Salvador Dalí, Joan Miró, Takashi Murakami e madje edhe Sylvester Stallone.

Zyrihu është qyteti që i dha botës Dadaizmin, lëvizjen që shpërtheu në Cabaret Voltaire në vitin 1916, duke hapur rrugën për surrealizmin dhe pop-art/in. Më vonë, aty lindi stili grafik zviceran që ndikoi dizajnin botëror, nga tipografia Helvetica te format vizuale që shohim sot në çdo faqe interneti.
Por, kjo trashëgimi nuk është thjesht muzeale. Sipas Jacqueline Uhlmann-it, drejtuese e qendrës së artit Löwenbräukunst, “Zyrihu është plot gjallëri. Krijimtaria këtu është më shumë substancë se trend”.

Në zonën e re industriale Zurich-West, një fabrikë birre është kthyer në kompleks kulturor me galeritë më të rëndësishme bashkëkohore të Europës, si Kunsthalle Zürich dhe Hauser & Wirth. Artet, arkitektura dhe teknologjia ndërthuren në mënyrë organike.
Në qendër, Kunsthaus Zürich është muzeu më i madh i arteve në Zvicër, me vepra nga Giacometti, Chagall dhe Sophie Taeuber-Arp. Por, ekspozitat përfshijnë edhe tema bashkëkohore. Gjatë Zurich Art Weekend, mbi 70 ekspozita hapen falas në qytet, një mundësi për të eksploruar artin në të gjitha format.
Edhe hotelet bëhen pjesë e rrëfimit. 25hours Hotel Zurich West, dizajnuar nga Alfredo Häberli, është një përvojë vizuale më vete, ndërsa Boutique & Art Hotel Helvetia ofron ambiente të mbushura me skulptura dhe piktura.

Në Dolder Grand, çdo hap është një zbulim, nga koktejet që frymëzohen nga vepra arti te skulptura gjigande e Keith Haring në kopsht. Më i paharrueshmi mbetet “Udhëtari” i Duane Hanson, figura mashtruese në lobin e hotelit. Ai nuk flet, por tregon gjithçka që duhet të dish për Zyrihun: këtu, arti nuk është mbyllur në xham. Ai vëzhgon, provokon dhe bëhet pjesë e përvojës suaj. Kjo sepse Zyrihu nuk është vetëm një qytet ku arti ekspozohet, është një vend ku ai lind. / shqip.al