Kryeministri Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi një takim në Vlorë me kandidatë për deputetë. Rama tha se partia që ai drejton është e vetmja që mund të anëtarësojë Shqipërinë në BE, duke garantuar lirinë individuale në Shqipëri dhe barazinë para ligjit.
Nëse mendoni se liria individuale në Shqipëri nuk rrezikohet nga asgjë dhe askush, e keni gabim. Kjo garantohet vetëm nëse Shqipëria anëtarësohet në BE. Nën ombrellën e BE-së, bëhet e pamundur për këdo që udhëheq këtu që të devijojë rrugën e zgjedhur nga populli shqiptar. Barazia para ligjit, për herë të parë në historinë tonë e duhet të jemi krenar për atë që po ndodh si një lëvizje tektonike në themelet e shtetit shqiptar, përtej lajthitjeve që mund të ketë në zhvillimin e kësaj lufte nga institucionet e reja të drejtësisë.
Por, ne kemi institucione të reja të drejtësisë që po luftojnë për drejtësinë para ligjit. Pa PS-në, pa vizionin dhe këmbënguljen tonë, nuk kishte shanse të ndodhte që të vinte dita që ti që përfaqëson pushtetin politik, një prokuror privat të të thërrasë e të të pyesë, apo të vijë puna edhe të dënohesh. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në shtetin shqiptar. Forcat e tjera thonë, më 11 maj na jepni votën, më 12 maj ne shkrijmë SPAK-un. Mund të kthehet mbrapsht çdo gjë.
Duke u ndalur te skuadra socialiste për qarkun e Vlorës, Rama deklaroi se në përbërje ka eksperiencën e risitë që vijnë nga nivelet më të larta të drejtimit të PS-së, por dhe vetë komuniteti.
Skuadra e qarkut të Vlorës ka një cilësi që e reflektojnë dhe skuadrat e qarqeve të tjera, por në Vlorë ka harmonizim mes ambicies, qëllimeve dhe shoqërisë së përbërë nga komunitete, prejardhje e opinione jo gjithmonë të njëjta. Ne me këtë skuadër i japim qarkut të Vlorës një ofertë që nuk i kemi dhënë më parë me këtë lloj larmie e mundësi për të zgjedhur brenda për brenda skuadrës e duke iu dhënë individëve mesazhin se askush nuk mund të ndihet i papërfaqësuar.
PS-ja është hapësirë ku ka vend për të gjithë… që ndajnë qëllimin e madh që të bëjmë Shqipërinë anëtare të BE-së e të rrisim më tej cilësinë e jetës në Vlorë, Sarandë, Delvinë, Konispol, Finiq e Selenicë, për t’i dhënë fuqi të shtuar ekonomisë vendore.