Aktualitet Sociale

Rama: Nga 30 prilli, 50 mijë lekë plus në muaj për mjekët specialistë!

Çdo muaj, mjekët specialistë në vendin tonë do të marrin 50 mijë lekë plus pagës bazë, duke nisur nga 30 prilli i këtij viti. Kjo u bë e ditur sot nga kryeministri Edi Rama, i cili vuri në dukje se me këtë rritje, pagat e mjekëve specialistë pësojnë rritje krahasur me ato në vendet e Ballkanit dhe barazohen me të Serbisë.

Më 30 prill 2023, mjekët specialistë do të marrin 50 mijë lekë të reja plus në pagën e tyre ose 500 dollarë çdo muaj. Do të mbajmë zotimin për rritjen 7% të pagës për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët. Në hyrje të 2024-ës do të kemi rritje edhe për mjekët e përgjithshëm e infermierët njësoj si me mjekët specialistë. Në prill, me pagën e specialistëve ngjitemi lart me pagat e rajonit dhe barazohemi me të Serbisë.

Kryeministri Rama foli në Kongresin e parë të Shëndetësisë, ku përmendi dhe problematikën e “eksodit” të bluzave të bardha.

Nuk do të lejohet më që mjekët e infermierët që shkollohen me paratë e taksapaguesve shqiptarë të shkojnë të punojnë në Gjermani sapo të marrin diplomën në dorë. Kjo problematikë do të adresohet që të marrë zgjidhjen e duhur. Eshtë një problem të cilin shumë vende e kanë adresuar dhe ne ka ardhur koha ta adresojmë.

Sot kemi një kapital njerëzor në fushën e shëndetësisë shumë më të qëndrueshëm e të mirëtrajtuar dhe pa diskutim shumë më garanci për të nesërmen. Ky kapital njerëzor ka nevojë për arsimim, punësim, kushte pune dhe pagë dinjitoze.

Edhe puna e bërë atje nga mjekët dhe infermierët ka krijuar një reputacion pozitiv, kjo është në nderin  e mjekëve, por një problem më shumë për ne.

Kongresi i Parë i Shëndetësisë mbahet në Tiranë sot dhe nesër, duke zhvilluar punimet në Pallatin e Kongreseve. Ky Kongres synon të bëjë bashkë politikëbërës, profesionistë të Shëndetësisë, ekspertë, përfitues të shërbimeve dhe aktorë të tjerë për të ndarë përvojat dhe sfidat e këtij sektori.