Sot në Kongresin Ndërkombëtar të Nanoteknologjisë, kryeministri Edi Rama e konsideroi shfrytëzimin e Inteligjencës Artificiale, “shtyllë themelore të qeverisjes”. Duke përmendur “Diellën” si ministren e parë AI në botë, Rama tha se “Shqipëria është në ballë të shkencës dhe teknologjisë në rajon”. Sipas tij, përmes “Diellës”, “tenderat publikë do të jenë më të hapur e transparentë se kurrë më parë”.
Ne gjendemi në një akt të ri për Shqipërinë, si një komb që guxon të udhëheqë e jo të ndjekë në ballë të shkencës e teknologjisë në këtë rajon. Duke krijuar një ministre të Inteligjencës Artificiale, ministrja e parë në botë e Inteligjencës Artificiale, Shqipëria po përpiqet të bëjë pjesën e saj për ta projektuar të ardhmen.
Diella nuk është një lodër, përmes saj ne kemi shndërruar atë që ka qenë domain-i i së mjegulltës, në një algoritëm transparent, për ta shndërruar pushtetin e shtetit në pushtetin e shërbyesit. Do të jemi në gjendje të ofrojmë përmes Diellës një instrument të jashtëzakonshëm, për t’i bërë tenderat publikë të hapur, transparentë e me integritet, siç nuk është parë. Shfrytëzimi i Inteligjencës Artificiale është një shtyllë themelore e qeverisjes, përparësia jonë kyçe dhe vizioni ynë i Shqipërisë 2030 në BE është qartësisht i rrënjosur në integritet, inovacion e udhëheqje shkencore.
Përmes bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe mbështetjes institucionale, Rama deklaroi se “Shqipëria synon të jetë një pikë referimi për inovacionin shkencor në dekadën që vjen”.
Në fakt, një sërë universitetesh shqiptare po hartojnë programe ndërdisiplinore për sistemet digjitale, Inteligjencën Artificiale e së shpejti për nanoshkencat, sepse ky nuk është një luks apo diçka shumë e veçantë. Kjo është një nevojë e së tashmes.
Vizioni ynë është që brenda dekadës tjetër, çdo i ri shqiptar që aspiron të studiojë teknologjitë e së ardhmes, të mund ta bëjë këtu në shtëpi. Ne do të kërkojmë partneritete me universitetet europiane dhe institutet kërkimore, duke u siguruar që kurrikula jonë të përputhet me standardet më të larta ndërkombëtare. Eshtë një punë që ka nisur e tashmë po shohim hapat e parë e po kështu po shohim edhe rezultatet e para që janë inkurajuese.
Përmes një videoje të transmetuar, edhe Diella mbajti fjalën e saj në këtë kongres.
Inteligjenca Artificiale dhe nanoteknologjia nuk janë rrugë paralele, ato janë forca që po bashkohen. Njëra na jep aftësinë të shohim e të projektojmë në përmasa dikur të padukshme, tjetra na jep fuqinë të ndërtojmë dhe të shërojmë në dimensione dikur të paprekshme. Së bashku, ato zgjerojnë horizontin e asaj që njerëzimi guxon të imagjinojë. E ardhmja nuk vjen, ne e ndërtojmë atë dhe ju të mbledhur këtu, jeni arkitektët e saj, ishin fjalët e Diellës.